Një donacion i rëndësishëm në vlerë prej 25 milionë eurosh nga Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të konkretizohet së shpejti me ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë.
Lajmi është bërë i ditur nga ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka njoftuar se tashmë kanë nisur përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit ku do të realizohet ky projekt.
Sipas Hamitit, procesi po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës dhe autoritetet shëndetësore të Emirateve.
“Kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë euro, të ndarë nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë”, ka shkruar Hamiti.
Ai ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave, i shoqëruar nga këshilltari Melhin Mahmuti, është pritur në Abu Dhabi nga zëvendëssekretarja e Departamentit të Shëndetësisë, Dr. Noura Al-Gauthi, e cila ka konfirmuar nisjen e këtij procesi.
“U prita nga Shkëlqesia e Saj, Dr. Noura Al-Gauthi, e cila më informoi se në bashkëpunim me Ministrinë tonë të Shëndetësisë kanë filluar përgatitjet për këtë projekt të rëndësishëm”, thuhet më tej në njoftim.
Përveç ndërtimit të spitalit të ri në Prishtinë, Hamiti ka bërë të ditur se gjatë këtij viti Emiratet do të investojnë edhe në rinovimin dhe pajisjen e Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri.
“Gjatë këtij viti do të fillojë procesi i rinovimit dhe pajisjes me teknologji të re mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri në shumë prej 7.5 milionë euro”, ka njoftuar ai.
Sipas ambasadorit, këto investime përfaqësojnë një mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorin e shëndetësisë në Kosovë dhe një përforcim të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në fund të postimit, Hamiti ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj lidershipit dhe popullit të Emirateve të Bashkuara Arabe për këto donacione.
“Në emër të shtetit dhe popullit tonë, shpreha mirënjohjen më të thellë ndaj lidershipit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe ndaj popullit emiratas, për këto donacione të çmuara që kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e kushteve të sektorit të shëndetësisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai.
Ndërtimi i Spitalit të Ri të Gjinekologjisë pritet të lehtësojë ndjeshëm ngarkesën në sistemin aktual shëndetësor dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve për gratë dhe nënat në Kosovë.
Donacioni prej 25 milionë eurosh nga Emiratet përbën një nga investimet më të mëdha të huaja direkte në sektorin e shëndetësisë në Kosovë. Përveç përmirësimit të infrastrukturës, ky projekt forcon edhe partneritetin strategjik mes Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
.
