Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A4 e Termocentralit “Kosova A” do të ndalet nga funksionimi në mesnatë, për shkak të një sinjalizimi që tregon për probleme të mundshme në ventilatorët e kullës ftohëse.
Sipas njoftimit zyrtar të KEK-ut, ndalesa do të bëhet sonte, në ora 24:00, me qëllim që të parandalohet një defekt më i madh dhe të krijohen kushtet për një inspektim të plotë teknik.
“Kjo ndalesë bëhet me qëllim të parandalimit të një defekti me përmasa më të mëdha dhe për të mundësuar trajtimin sa më të hershëm të problemit. Partnerët tanë afaristë janë njoftuar me kohë për këtë ndalesë,” thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Sipas Korporatës, kapaciteti i kësaj njësie nuk ishte planifikuar për prodhim gjatë ditës së nesërme, çka ul ndikimin e menjëhershëm në rrjetin energjetik të vendit.
Ekipet teknike të Termocentralit “Kosova A” janë të gatshme dhe do të ndërmarrin menjëherë masat e nevojshme për të identifikuar dhe riparuar defektin sapo të sigurohen kushtet teknike.
KEK ka theksuar se objektivi mbetet rikthimi i njësisë A4 në operim sa më parë që të jetë e mundur, për të garantuar vazhdimësinë e prodhimit të energjisë.

Njësia A4 e Termocentralit “Kosova A” do të ndalet sonte për shkak të një sinjalizimi për defekt të mundshëm. KEK ndërmerr masa parandaluese dhe synon rikthimin e njësisë sa më shpejt.
