Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Arbër Havollin dhe e ka dënuar me dënim unik prej 20 vjet burgim për vrasjen e 6 shtatorit 2025 në Llapashticë të Epërme të Podujevës.
Aktgjykimi është shpallur të enjten nga kryetari i trupit gjykues Alban Ajvazi, së bashku me anëtarët Adnan Kamberi dhe Gëzim Ademi.
Sipas aktgjykimit, Havolli është dënuar me 19 vjet burgim për veprën penale “Vrasje”, ndërsa për veprën penale të armëmbajtjes pa leje është dënuar me 2 vjet burgim.
Gjykata ka shqiptuar ndaj tij një dënim unik prej 20 vjet burgim.
Në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha që Havolli ka kaluar në paraburgim.
DUHET TË PAGUAJË EDHE SHPENZIMET E PROCEDURËS
Përveç dënimit me burgim, Gjykata e ka obliguar të akuzuarin që të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale.
Ai duhet të paguajë 150 euro për paushallin gjyqësor, si dhe 50 euro në Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Ndaj këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga pranimi i aktgjykimit.
Në seancën e shpalljes së aktgjykimit ishte i pranishëm vetëm avokati i të akuzuarit, Bekim Sfishta.
HAVOLLI ISHTE SHPALLUR NË KËRKIM PAS VRASJES
Arbër Havolli ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës më 9 shtator 2025, përmes publikimit të fotografisë së tij, pasi dyshohej për vrasjen e ndodhur më 6 shtator 2025 dhe ndodhej në arrati.
Ai u arrestua më 23 tetor 2025.
ÇFARË THOSHTE AKTAKUZA?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 23 prill 2026, ngjarja kishte ndodhur më 6 shtator 2025, rreth orës 19:30, në rrugën “Hysen Havolli”, në Llapashticë të Epërme të Komunës së Podujevës.
Sipas aktakuzës, viktima B.S. ndodhej në veturën e tij, e cila ishte e ndaluar skaj rrugës, përballë marketit “Havolli”.
Prokuroria pretendonte se Havolli fillimisht ishte afruar dhe kishte biseduar me viktimën, ndërsa më pas kishte shtënë 9 herë me armë zjarri në drejtim të tij, duke i shkaktuar vdekjen.
Për këtë, ai akuzohej për veprën penale “Vrasje”, sipas nenit 172 të Kodit Penal.
AKUZA PËR ARMËMBAJTJE PA LEJE
Në pikën e dytë të aktakuzës, Prokuroria pretendonte se Havolli, nga data e ngjarjes deri më 23 tetor 2025, kishte mbajtur pa autorizim një armë zjarri, në kundërshtim me Ligjin për Armët.
Sipas aktakuzës, bëhej fjalë për një armë zjarri të prodhimit turk, një karikator me 13 fishekë, të cilat gjatë kontrollit policor ishin gjetur dhe konfiskuar.
Për këtë, ai akuzohej për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Me aktgjykimin e shpallur të enjten, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Arbër Havollin me dënim unik prej 20 vjet burgim.
Burimi: Betimi për Drejtësi
