Shtetet e Bashkuara të Amerikës thuhet se kanë ndërmarrë një operacion të befasishëm ushtarak ndaj Iranit, duke përdorur aeroplanët e famshëm B-2 Spirit për të goditur objektiva strategjike bërthamore. Sipas burimeve të shumta ndërkombëtare, sulmet ajrore kanë ndodhur në tri lokacione të ndjeshme: Fordo, Natanz dhe Esfahan – të gjitha të njohura për aktivitetin e tyre në programin bërthamor iranian.
Bëhet e ditur se bombarduesit B-2 janë të vetmit në arsenalin amerikan që mund të bartin armë të veçanta për shkatërrimin e bunkerëve të thellë nëntokësor, siç është bomba GBU-57 “Massive Ordnance Penetrator”, e dizajnuar enkas për të depërtuar mbrojtjet e trasha të objekteve si Fordo. Ky objekt i fundit është ndërtuar në një thellësi të konsiderueshme dhe prej vitesh ka qenë temë debatesh në lidhje me sigurinë e tij ndaj çdo sulmi ajror.
Zyrtarë amerikanë kanë konfirmuar se paraprakisht për operacionin janë informuar si Irani, ashtu edhe Izraeli, në një përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të pakontrolluar rajonal. Megjithatë, ende nuk ka reagim zyrtar nga ana e Teheranit, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm.
Ky veprim mund të shënojë një kthesë të madhe në marrëdhëniet SHBA-Iran, në një kohë kur bisedimet diplomatike ishin gjithsesi të ngrira. Ekspertët paralajmërojnë se veprimet e fundit do të kenë pasoja të thella jo vetëm për rajonin, por edhe për balancën e sigurisë globale.

Ky operacion i sofistikuar, nëse konfirmohet zyrtarisht, është sinjal i qartë se SHBA-ja nën presidencën Trump është e gatshme të përdorë forcën në mënyrë të drejtpërdrejtë për të neutralizuar kërcënimet strategjike. Zgjedhja e B-2 si aeroplani kryesor i sulmit nënvizon seriozitetin e operacionit dhe targetin specifik ndaj objekteve që për dekada kanë qenë objekt i vëzhgimit perëndimor. Kjo ndërhyrje mund të sinjalizojë fundin e politikës së durimit dhe hapjen e një kapitulli të ri në qasjen ndaj programit bërthamor iranian.
