Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Rusisë, duke thënë se SHBA do të përdorë “armët më të fuqishme dhe më vdekjeprurëse që janë ndërtuar ndonjëherë”, nëse Moska furnizon Iranin me koka bërthamore.
Deklarata vjen vetëm dy ditë pas sulmeve ajrore amerikane në objektet bërthamore iraniane, që përfshinë edhe përdorimin e bombave shkatërruese të bunkerëve mbi fabrikën e pasurimit të uraniumit në Fordow.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump iu referua deklaratave të ish-presidentit rus Dmitry Medvedev, i cili sipas tij ka përmendur mundësinë që Rusia dhe vende të tjera t’i japin kokat bërthamore Iranit.
“A e dëgjova mirë Medvedevin? Tha se do t’i japin Iranit koka bërthamore? Nëse po, më njoftoni menjëherë”, shkroi Trump, duke shtuar se “fjala me ‘N’ (bërthamore) nuk duhet të përdoret aq lehtë”.
Ai vazhdoi duke përmendur se Shtetet e Bashkuara zotërojnë teknologji ushtarake që është “20 vite përpara botës”, dhe përmendi nëndetëset bërthamore si armët më të fuqishme të ndërtuara ndonjëherë.
Sipas tij, në fundjavë janë përdorur 30 raketa Tomahawk, të gjitha me saktësi të plotë mbi objektivat e përcaktuara.

Deklaratat e Trump përbëjnë një përshkallëzim verbal serioz në raportet SHBA-Rusi, me përfshirjen e çështjes iraniane si pikë qendrore. Paralajmërimi ndaj Moskës nuk është thjesht një mesazh diplomatik, por një sinjal i hapur se Uashingtoni është i gatshëm për të ndërmarrë veprime ekstreme nëse konfirmohet bashkëpunimi bërthamor me Iranin. Përmendja e nëndetëseve bërthamore dhe fuqisë teknologjike amerikane ka për qëllim frikësimin dhe parandalimin, por gjithashtu nxjerr në pah rrezikun e një përshkallëzimi global.
