Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar këtë javë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, duke rikthyer në vëmendje një nga skandalet më të përfolura me përmasa ndërkombëtare.
Pamje të siguruara nga Tëvë1 tregojnë Berishajn duke u larguar nga objekti i Prokurorisë në shoqërinë e avokatit të tij, Tomë Gashi, i njohur për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë në raste sensitive politike e ligjore.
Burime nga drejtësia pohojnë se Berishaj është marrë në pyetje si pjesë e hetimeve që lidhen me dyshime për shpëlarje të parave dhe deklarim të rrejshëm të pasurisë, çështje të cilat kanë qenë subjekt i raportimeve mediatike që nga viti 2022.
Skandali ndërkufitar
Emri i ambasadorit Berishaj është përmendur për herë të parë në media sllovene, kur një hetim i Planet TV pretendonte se mbi 500 mijë euro kesh janë transferuar ilegalisht nga Mali i Zi në Slloveni, me Berishajn që dyshohej si “transportuesi” i shumave të mëdha në emër të Robert Golob, tashmë kryeministër dhe lider i Partisë së Lirisë në Slloveni.
Raporti, që u mbështet në të dhëna financiare të rrjedhura dhe hetime të gazetarisë sllovene, ngriti dyshime të rënda për përfshirje të diplomatit kosovar në një rrjet ndërkombëtar të financimit të paligjshëm, me ndikim potencial në politikën dhe zgjedhjet në Slloveni.
Deri më tani, asnjë aktakuzë formale nuk është ngritur ndaj ambasadorit, por fakti që ai është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës e çon çështjen në një fazë të re ligjore dhe politike.
Heshtje nga institucionet
As Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe as Presidenca nuk kanë reaguar publikisht për këtë zhvillim. Kujtojmë se Berishaj vazhdon të mbajë detyrën si ambasador në Zagreb, pavarësisht presionit të opinionit publik dhe kërkesave për shkarkim nga deputetë të opozitës.
Në muajt e fundit, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave në Kuvendin e Kosovës ka kërkuar raportim zyrtar për këtë rast, ndërsa organizatat e shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe mbrojtje politike për zyrtarët që përballen me akuza të rënda.

Rasti i Martin Berishajt nuk është vetëm një hetim i izoluar penal, por një test për besueshmërinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë, si dhe për seriozitetin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit. Përfshirja e mundshme e një diplomati të lartë në një skemë ndërkombëtare financiare, pa pasoja ligjore të menjëhershme, rrezikon të dërgojë mesazhin e gabuar te publiku: se zyrtarët me mbrojtje politike mund t’i shpëtojnë drejtësisë. Intervistimi nga Prokuroria Speciale mund të jetë vetëm fillimi i një procesi më të gjerë, por suksesi i tij do të matet me transparencën dhe përfundimin konkret të çështjes.
