Në një reagim të menjëhershëm pas publikimit të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, ka dalë me një ftesë publike ndaj të gjithë liderëve politikë të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një deklarate të publikuar sot, Kurti theksoi se aktgjykimi i Kushtetueses e bën të qartë se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit nuk i takon vetëm subjektit që ka dalë i pari në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, por gjithë spektrit parlamentar.
“Në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve me ftesë për një takim të përbashkët ditën e shtunë, në orën 16:00,” tha Kurti.
Ai theksoi se qëllimi i këtij takimi është krijimi i konsensusit për konstituimin e Kuvendit, i cili prej javësh ka mbetur i paralizuar për shkak të mungesës së koordinimit mes subjekteve politike.
Ky është një ndër hapat e parë konkretë që VV ndërmerr pas vendimit të Kushtetueses, që duket se i ka dhënë një shtysë të re procesit institucional, duke shpërndarë barrën e përgjegjësisë në mënyrë më të gjerë.
Përballë rrezikut të bllokadës së gjatë institucionale, kjo lëvizje e Kurtit shihet si përpjekje për të shmangur një krizë të re politike, dhe për të rikthyer dialogun ndërpartiak në një moment kyç për vendin.
Nëse takimi i paralajmëruar prodhon rezultat konkret, ai mund të hapë rrugën për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja, duke rikthyer stabilitetin e munguar që pas zgjedhjeve të shkurtit.

Ftesa e Kurtit për një takim të përbashkët ndërpartiak vjen në një moment kritik, kur vendimi i Kushtetueses ka rikompozuar fushën e përgjegjësive për bllokimin e Kuvendit. Me këtë veprim, Kurti po përpiqet të rikthejë iniciativën politike, duke vendosur përgjegjësinë mbi të gjitha palët, dhe jo vetëm mbi VV-në. Nëse palët nuk përgjigjen pozitivisht, barra e bllokadës do të bjerë drejtpërdrejt mbi opozitën – një kalkulim politik që mund të forcojë pozitën e VV-së në opinion publik.
