Saturday, April 18, 2026
HomeLajmeBabai i të miturës nga Fushë Kosova: Vajza ime nuk u dërgua...

Babai i të miturës nga Fushë Kosova: Vajza ime nuk u dërgua në IML, dy të dyshuarit u liruan nga Policia

Një rast i rëndë me dyshime për dhunim dhe trafikim ka tronditur sërish opinionin publik, pas rrëfimit të babait të një të miture nga Fushë Kosova, e cila u gjet mbrëmë në një banesë me dy burra të moshës madhore.

Remzi Shala, babai i vajzës, ka treguar për klankosova.tv se vajza e tij, B.SH, pavarësisht asaj që raportohej në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, nuk është dërguar as sot në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për ekzaminim mjekësor. Sipas tij, Policia e stacionit të Fushë Kosovës i kishte premtuar familjes se sot në mesditë do të dërgonin një ekip për vajzën, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Kam kërku prej anës së policisë me e thirr mjekun, rreshteri ka thënë: ‘Nuk ka nevojë se po shihet që vajza është mirë’. Rreshteri më ka thënë me çu unë dhe gruaja, me dërgu vajzën në rehabilitim dhe te mjeku, por unë iu kam thënë që nuk kam kapacitet me shëru sepse nuk i kam kushtet”, rrëfen babai i shqetësuar.

Shala tregon se vajza e tij, kur është kthyer në shtëpi, ka qenë në gjendje të rënduar emocionale dhe fizike. “Vajza kur ka ardhë në banesë ka qajtë, dhe u ardhë pa pikë gjaku në fytyrë, si e huaj”, shprehet ai.

Më shqetësuesja sipas tij, është fakti që dy personat madhorë që gjendeshin në banesë me të miturën, janë liruar nga Policia, pavarësisht se rasti në raport cilësohej si dhunim. Babai i vajzës thotë se bëhet fjalë për A.P. nga komuna e Drenasit dhe një tjetër person nga Prizreni, me iniciale ende të panjohura për familjen.

Në rrëfimin e tij, Remzi Shala përmend edhe një vajzë tjetër, A.R, 23-vjeçe, e cila sipas tij merret me trafikim të vajzave. Ai pretendon se A.R ishte e pranishme në banesë në momentin kur ai ka gjetur të bijën, por ka arritur të largohet menjëherë sapo mbërriti Policia.

“Unë jam dal çdo natë e kam kërku evladin tem, e kam gjetur në Fushë Kosovë, në një banesë pranë një bari, në katin e tetë, e kam gjetë me dy djem dhe atë vajzën. Unë e kam gjetë vajzën dhe e kam njoftuar policinë. A.R më ka ikur nga objekti”, tregon babai mes lotësh.

Ndërkohë, familja kërkon nga autoritetet hetim të plotë dhe përgjegjësi për çdo neglizhencë që, sipas tyre, po e lë rastin pa zbardhur plotësisht.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments