Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka lëshuar një njoftim të qartë për të gjithë ata që planifikojnë të udhëtojnë drejt SHBA-ve me vizë turistike: nëse oficerët konsullorë dyshojnë se qëllimi kryesor i udhëtimit është lindja e një fëmije në territorin amerikan, aplikimi për vizë do të refuzohet.
“Përdorimi i vizës turistike për të udhëtuar kryesisht me qëllimin për të lindur në Shtetet e Bashkuara dhe për të siguruar shtetësinë për fëmijën tuaj nuk lejohet dhe mund të çojë në refuzimin e vizës,” thuhet në publikimin zyrtar të Ambasadës amerikane.
Ky paralajmërim vjen menjëherë pas një tjetër njoftimi të bërë më 12 maj, kur Ambasada e SHBA-ve në Tiranë publikoi një mesazh në rrjetet sociale për të gjithë ata që kanë kontrolluar statusin e tyre për Lotarinë Amerikane DV2026.
Në këtë njoftim, qytetarëve u bëhet thirrje që, nëse rezultojnë të përzgjedhur në faqen zyrtare dvprogram.state.gov/ESC, të ndjekin me kujdes të gjitha udhëzimet dhe të plotësojnë aplikimin DS-260 në mënyrë elektronike.
Megjithatë, Ambasada thekson se përzgjedhja nuk garanton automatikisht një intervistë apo vizë për emigrim, ndaj këshillohet kujdes dhe transparencë gjatë gjithë procesit.
