Friday, April 24, 2026
HomeLajmeFSK në një tjetër nivel – Delegacioni kosovar merr pjesë në stërvitjen...

FSK në një tjetër nivel – Delegacioni kosovar merr pjesë në stërvitjen elitare mjekësore të Bundeswehr në Gjermani

Gjermani, korrik 2025 – Një delegacion i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka qenë pjesë aktive e një aktiviteti të nivelit të lartë mjekësor të organizuar nga Bundeswehr-i gjerman, në kuadër të ushtrimit informues dhe trajnimor (ILÜ) të Shërbimit Mjekësor të forcave gjermane, mbajtur në Feldkirchen.

I ftuar nga Gjenerallejtënant Dr. Ralf Hoffmann, Komandant i Shërbimit Qendror Mjekësor të Bundeswehr-it, delegacioni i FSK-së u përfaqësua nga Kolonel Mehmet Lladrovci, Kolonel Dr. Xhevdet Tahiraj, RrMK Ilir Rama, si dhe i shoqëruar nga Nënkolonel Dr. Helmut Bedö, Këshilltar Mjekësor i NALT-it.

Gjatë vizitës, delegacioni pati mundësi të njihej nga afër me strukturën e avancuar të trajtimeve mjekësore ushtarake, përmes prezantimeve dhe demonstrimeve praktike të kapaciteteve ROL-1 deri ROL-4, që përfaqësojnë nivelet e ndryshme të kujdesit mjekësor në misione dhe fushëbetejë.

Në takimet me drejtues të lartë të sistemit mjekësor ushtarak gjerman dhe të NATO-s, u diskutuan disa tema strategjike për FSK-në:

  • Zhvillimi i konceptit ROL-1 të avancuar për FSK-në
  • Validimi i kapaciteteve mjekësore në Kosovë në vitin 2026
  • Pjesëmarrja në stërvitjen shumëkombëshe “VIGOROUS WARRIOR 2026” në Estoni
  • Zhvillimi i programeve “train-the-trainer” për personelin e FSK-së
  • Bashkëpunime dypalëshe në projekte të mjekësisë ushtarake

Po ashtu, delegacioni vizitoi disa qendra të rëndësishme trajnimi dhe mbështetjeje mjekësore në Kümmersbruck, Weiden dhe Grafenwöhr, ku u prezantuan teknologjitë dhe metodat më të reja të menaxhimit të situatave emergjente në fushë.

Ky angazhim vjen si një konfirmim i përkushtimit të FSK-së për ngritjen e kapaciteteve moderne dhe ndërvepruese, të përshtatura sipas standardeve të NATO-s dhe në partneritet të ngushtë me aleatët strategjikë të Kosovës.

Pjesëmarrja e delegacionit të FSK-së në trajnimet mjekësore të Bundeswehr-it është më shumë se një vizitë simbolike – ajo është një gur themeli në transformimin e FSK-së nga një forcë lokale, në një aktor të përgatitur për operacione ndërkombëtare.

Fakti që përfaqësuesit e FSK-së janë trajnuar për sistemet ROL-1 deri ROL-4 – që nga ndihma e parë në terren deri te trajtimi spitalor i specializuar – tregon se FSK po synon ndërtimin e një kapaciteti të plotë për mbështetje mjekësore në kohë krize, duke u pozicionuar si një forcë e gatshme për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe ndërkombëtare.

Temat që u trajtuan – si validimi i kapaciteteve në Kosovë në vitin 2026 dhe përgatitja për “VIGOROUS WARRIOR 2026” në Estoni – janë dëshmi se partneriteti me NATO-n nuk është më vetëm politik, por operacional dhe teknik. Kjo rritë jo vetëm kapacitetin ushtarak të FSK-së, por edhe besueshmërinë e Kosovës si kontribuese në sigurinë rajonale dhe globale.

Në një kohë kur siguria globale kërkon forca të shpejta, të përgatitura dhe të specializuara, kjo pjesëmarrje konfirmon se FSK është në rrugën e duhur për t’u bërë një aleat real i NATO-s në terren, jo vetëm në letra.

SourceFsk
RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments