Pak para nisjes së punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit që po zhvillohet në Londër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, takimi u fokusua në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Britanisë së Madhe, me theks të veçantë në siguri, ekonomi, energji dhe bashkëpunim arsimor.
Kurti shprehu mirënjohje të thellë ndaj Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke e vlerësuar si partner kyç në rrugëtimin euroatlantik të vendit.
“Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Britaninë e Madhe është thelbësor për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe ndikimi i saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë dezinformimin dhe financat e paligjshme”, tha Kurti gjatë takimit.
Në diskutim u përfshinë edhe temat e sigurisë, rritjes dhe migracionit, si pjesë e agjendës kryesore të Samitit.
Kurti theksoi se Kosova nuk është burim i migrimit, por është e gatshme të ndihmojë Britaninë e Madhe në menaxhimin e rrjedhave migratore dhe në forcimin e kontrollit kufitar, në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë kundër krimit të organizuar.
Në fushën e mbrojtjes dhe inovacionit, Kurti potencoi investimet që po bëhen në arsim, teknologji dhe partneritete ndërkombëtare, duke ftuar investitorët britanikë të shohin Kosovën si një destinacion të qëndrueshëm dhe me potencial të lartë zhvillimi. Ai nënvizoi se Kosova renditet ndër vendet më demokratike në rajon dhe po njeh përmirësime të dukshme në treguesit ekonomikë dhe institucionalë.
“Rritja mesatare ekonomike ka qenë 6% në katër vitet e fundit, asnjëherë nën 4%. Eksportet dhe investimet e huaja janë dyfishuar, ndërsa Kosova është përmirësuar me 31 vende në indeksin e Transparency International,” – theksoi Kurti, duke cituar të dhënat e Gallup dhe Transparency International.
Në takimin me kryediplomaten britanike, ai rikujtoi gjithashtu se përgjegjësit për sulmin paramilitar në Banjskë mbeten të lirë në Serbi, duke e cilësuar këtë si “kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal”.
Kurti theksoi rëndësinë e sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe trajtimit të barabartë të komuniteteve, duke e paraqitur Kosovën si model rajonal në këtë drejtim.
Në përmbyllje, kryeministri përsëriti se prioriteti strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, dhe se partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është thelbësor në këtë proces.
“Përmes bashkëpunimit me Londrën, ne mund të ecim më shpejt drejt integrimit euroatlantik dhe të sigurojmë njohje të reja ndërkombëtare,” u shpreh ai.

Takimi i Kurtit me kryediplomaten britanike sinjalizon një fazë të re të konsolidimit të marrëdhënieve me Londrën, veçanërisht pas daljes së Britanisë nga BE. Kosova e sheh Mbretërinë e Bashkuar jo vetëm si një partner historik, por edhe si një shtyllë sigurie në arkitekturën euroatlantike, përballë ndikimeve ruse dhe tensioneve rajonale.
Mesazhi politik është i qartë: Kosova po e lidh integrimin e saj në NATO dhe BE me partneritetet strategjike perëndimore, duke u përpjekur të rrisë besueshmërinë ndërkombëtare përmes reformave të brendshme, rritjes ekonomike dhe stabilitetit demokratik.
Kjo qasje e re diplomatike përfaqëson një kthesë nga retorika drejt veprimit konkret në politikën e jashtme, me synim që Kosova të konsolidohet si faktor stabiliteti në rajon.
