Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka zhvilluar sot një aksion simbolik dhe konferencë për media para zyrave të EULEX-it në Prishtinë, për të shënuar pesë vjetorin e dërgimit në Hagë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me pankartën “5 vjet padrejtësi e organizuar”, përfaqësues të OVL-UÇK-së kanë shprehur indinjatën ndaj asaj që e quajtën “proces të padrejtë dhe politik” ndaj ish-udhëheqësve të luftës për liri. Sipas tyre, ky është një përvjetor i dhimbshëm që rikujton “një padrejtësi e cila po vazhdon tash e pesë vjet”.
Në fjalën e tyre, përfaqësuesit e OVL-së kanë theksuar se dërgimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë u bë nën ndikimin e politikës ndërkombëtare, ndërsa kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.
“Ata që luftuan për liri, sot po mbahen padrejtësisht në burg, ndërsa krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës ende nuk janë dënuar”, tha një nga përfaqësuesit e OVL-UÇK-së, duke kërkuar që institucionet vendore dhe ndërkombëtare të marrin përgjegjësi për “padrejtësitë e organizuara ndaj çlirimtarëve”.
OVL e UÇK-së paralajmëroi se ky do të jetë vetëm fillimi i një serie veprimesh simbolike që do të vazhdojnë deri në lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Aksioni i sotëm i OVL-UÇK-së para zyrave të EULEX-it është një kujtesë politike dhe emocionale për një periudhë që shumë shqiptarë e konsiderojnë si padrejtësi historike. Në një kohë kur proceset në Hagë vazhdojnë, këto mesazhe nxisin debatin publik mbi drejtësinë, sovranitetin dhe kujtesën kolektive të luftës. Mesazhi kryesor mbetet kërkesa për barazi në drejtësi dhe respektim të sakrificës së luftëtarëve të lirisë.
