Një rast i ri ka dalë në pah në Komunën e Suharekës, ku familjarët e kryetarit Bali Muharremaj janë përfshirë në një projekt ndërtimor që po ngjall shumë dyshime për konflikt interesi.
Sipas hulumtimit të Reporteri.net, në tokë komunale që është dhënë në shfrytëzim për 99 vjet, po ndërtohet një objekt afaristo-banesor ku përfshihen vëllai i kryetarit, Reshat Muharremaj, dhe nipi i tij, Edon Muharremaj, përmes kompanisë “EM Invest Group” SH.P.K..
Në gusht të vitit 2024, Komuna e Suharekës shpalli konkursin për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone me qëllim ndërtimi, ku morën pjesë katër ofertues. Megjithatë, pas skualifikimeve, prona përfundoi në duart e investitorit Visar Basha, i cili – sipas dokumenteve – më pas përfshiu në projekt kompaninë e familjarëve të kryetarit.
Ndërtimi, sipas hulumtimit, po kryhet pjesërisht në tokë komunale dhe pjesërisht në pronë private, ndërsa leja e ndërtimit është lëshuar pas fillimit të punimeve, gjë që ka ngritur dyshime për favorizim dhe mungesë transparence.
Komuna e Suharekës, sipas marrëveshjes, përfiton 27 për qind të hapësirës së ndërtuar, rreth 430 metra katrorë banesa si kompensim – përqindje që, sipas opozitës lokale, është më e ulët se standardi i zakonshëm për raste të ngjashme.
Vetë kryetari Bali Muharremaj mohoi çdo parregullsi, duke thënë se gjithçka është bërë në mënyrë ligjore dhe transparente.
“Po more, ajo është zyrtare dhe ligjore. Komuna i ka marrë 430 metra banesë kompensim. Edoni është qytetar i këtij vendi, s’ka asgjë të keqe këtu,” – deklaroi Muharremaj.
Por Edon Muharremaj reagoi ashpër ndaj gazetarëve, duke refuzuar të japë përgjigje dhe duke thënë se “është paguar dikush për ta sulmuar”.
“Është mirë me u informu para se me më shqetësu. S’ki të drejtë me më bë pyetje të tilla. Të ka pagu dikush, por shumë lirë,” – u shpreh ai, duke mohuar çdo marrëveshje të fshehtë me investitorin Basha.
Nga ana tjetër, opozita lokale në Kuvendin Komunal e ka kundërshtuar ashpër kontratën. Asamblisti i LDK-së, Selman Kolgeci, tha se prona publike është dhënë me kushte të dëmshme për komunën.
“E kemi kundërshtuar sepse prona është dhënë me 27 për qind në vend se me 33 ose 35 për qind. Kemi menduar se është abuzuar me pronën publike,” – deklaroi Kolgeci, duke shtuar se punimet nisën para lëshimit të lejes ndërtimore.
Investitori Visar Basha, në emër të të cilit është dhënë prona, nuk është përgjigjur në thirrjet e mediumit.
