Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për arrestimin e pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me Shërbimin Informativ Serb (BIA) – tre shqiptarë dhe dy serbë – si rezultat i një sërë operacionesh të suksesshme gjatë më shumë se një viti.
Në deklaratën e tij, Kurti theksoi se këto arrestime janë dëshmi e qartë e kapacitetit profesional të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim të ngushtë me Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës. Ai vlerësoi se përmes këtyre veprimeve është goditur dhe çmontuar një pjesë e rëndësishme e rrjeteve të inteligjencës serbe që synonin destabilizimin e vendit.

Sipas Kryeministrit, veprimtaritë e dyshuara të këtyre personave përfshijnë:
- përpjekje për rishkrim të historisë me qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së dhe mohimin e masakrës së Reçakut,
- infiltrime në organizata ndërkombëtare dhe në qarqe ekstremiste fetare,
- si dhe operacione të fshehta për dëmtimin e sigurisë dhe imazhit të Republikës së Kosovës.
Kurti bëri të ditur se një nga të dyshuarit, i identifikuar me inicialet A.V., ka pranuar fajësinë pas ballafaqimit me dëshmitë dhe provat.
“Këto zhvillime janë një shembull i qartë se Kosova është në gjendje të mbrojë sovranitetin dhe sigurinë e saj me profesionalizëm dhe efikasitet,” tha Kurti, duke theksuar se AKI dhe institucionet e sigurisë po tregojnë aftësi të avancuara analitike dhe operative.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe të përkushtuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe sigurisë kombëtare, duke theksuar se suksesi në trajtimin e këtyre rasteve duhet të shërbejë si shembull për rritjen e vetëdijes dhe unitetit qytetar ndaj çdo forme kërcënimi.
