Në një deklaratë që ka shkaktuar jehonë në spektrin politik kosovar, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka lënë të hapur derën për një bashkëpunim të papritur me kryeministrin aktual, Albin Kurti – madje duke mos përjashtuar mundësinë që Kurti ta udhëheqë edhe një qeveri tranzitore.
Haziri theksoi se vendi ndodhet në një udhëkryq institucional dhe se tani janë në lojë tri skenare të mëdha politike: një qeveri nga VV me aleatët e saj, një konfigurim nga PDK, dhe një opsion i tretë – qeveria kalimtare e propozuar nga LDK.
“Qeveria kalimtare është ideja jonë. Tani, si dakordohen liderët politikë, është çështje e tyre. Ne jemi për një format gjithëpërfshirës që e nxjerr vendin nga bllokada,” tha Haziri.
Por deklarata që tronditi studion ishte ajo kur Haziri nuk përjashtoi as mundësinë që Albin Kurti të mbetet në krye të qeverisë, edhe në versionin kalimtar.

“Unë nuk thashë që nuk është. Ai që ka më shumë peshë në Kuvend, ka më shumë fjalë në ndarjen e përgjegjësive. Ne kemi një propozim, por nuk përjashtojmë askënd,” theksoi Haziri, duke e lënë të kuptohet se politika është arti i të pamundurës.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur kriza politike ka bllokuar iniciativat madhore të vendit dhe presioni ndërkombëtar për stabilitet është në rritje.
A po përgatitet Kosova për një pakt të madh politik me figurat kyçe të skenës aktuale? A është kjo një kthesë drejt unitetit kombëtar apo një kalkulim për të shmangur zgjedhjet e parakohshme? Një gjë është e qartë – loja politike po hy në një fazë të re dhe më dramatike se kurrë më parë.
