Ndryshimet klimatike po shndërrohen në kërcënim serioz për shëndetin publik në kontinentin më të prekur nga rritja e temperaturave.
Një raport i ri i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka nxjerrë në pah një bilanc të rëndë: rreth 100 mijë jetë të humbura në Evropë gjatë viteve 2022 dhe 2023 si pasojë e valëve të të nxehtit ekstrem. Ky zhvillim ka thelluar shqetësimet për përmasat që po merr kriza klimatike, e cila tani po kthehet në një emergjencë shëndetësore në të gjithë kontinentin.
Evropa është bërë rajoni që po përjeton ngrohjen më të shpejtë në shkallë globale. Përveç temperaturave përvëluese, fenomenet ekstreme si përmbytjet, thatësirat dhe stuhitë janë gjithnjë e më të shpeshta. Sipas të dhënave, një në çdo dhjetë banorë urbanë në Evropë ndodhet në rrezik të drejtpërdrejtë nga efektet klimatike, ndërsa frekuenca e këtyre ngjarjeve është rritur deri në 9 herë.
Nga viti 2020 deri më tani, katër nga pesë vitet janë regjistruar si ndër më të nxehtit në histori. Ndërkohë, për vitin 2024, parashikimet flasin për thyerje të rekordeve të mëparshme të temperaturave. Nëse tendenca aktuale vijon, deri në vitin 2030 80% e popullsisë evropiane do të jetojë në zona urbane, ku rreziku nga nxehtësia dhe ndotja është edhe më i madh.

Kjo rritje drastike e temperaturave – që në skenarët më të këqij pritet të kalojë +3°C – sjell pasoja të drejtpërdrejta për trupin e njeriut, duke nxitur rritjen e sëmundjeve respiratore, problemeve mendore, infeksioneve dhe valëve vdekjeprurëse të të nxehtit.
Për të përballuar këtë sfidë në rritje, OBSH për Evropën ka krijuar një komision të posaçëm për klimën dhe shëndetin publik, me qëllim rishikimin dhe transformimin e politikave shëndetësore në funksion të emergjencave mjedisore që po prekin përditshmërinë e qytetarëve evropianë.
