Doha, qershor 2025 — Një zhvillim i pazakontë ka ndodhur në bazën ajrore Al Udeid në Katar, një ndër instalacionet më të mëdha ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. Imazhe satelitore tregojnë se dhjetëra avionë ushtarakë amerikanë janë zhdukur nga pamja brenda pak ditësh, duke ngritur spekulime për një tërheqje të organizuar, teksa tensionet në rajon sa vijnë e rriten.
Sipas pamjeve të siguruara nga Planet Labs PBC dhe të analizuara nga Agence France-Presse (AFP), nga data 5 deri më 19 qershor, numri i avionëve të dukshëm në bazë ka rënë ndjeshëm. Në fillim të muajit, rreth 40 avionë ushtarakë amerikanë – përfshirë C-130 Hercules dhe avionë zbulimi – ishin të parkuar në pistë. Ndërsa në imazhet e fundit të publikuara, vetëm tre avionë janë të dukshëm.
Kjo lëvizje shihet si një zhvendosje e qëllimshme strategjike, ndoshta për të mbrojtur avionët nga një sulm ajror i papritur iranian, në rast se tensionet midis Iranit dhe Izraelit përshkallëzohen më tej. Shtetet e Bashkuara e kanë theksuar se po vlerësojnë të gjitha opsionet e mundshme, përfshirë përfshirjen në konflikt, nëse situata del jashtë kontrollit.
Ambasada amerikane në Katar publikoi një njoftim, ku deklaroi se hyrja në bazën ushtarake do të kufizohet, për shkak të “kujdesit të shtuar dhe tensioneve të vazhdueshme në rajon”. Gjithashtu, u kërkua nga personeli të mbajnë një nivel më të lartë vigjilence.
Ndërkohë që vendndodhja aktuale e avionëve të larguar nuk është konfirmuar, ekspertët besojnë se ky veprim është pjesë e një përgatitjeje të thelluar për çdo skenar të mundshëm ushtarak.

Tërheqja e flotës ajrore nga Katar tregon qartë se SHBA nuk po rrezikon asnjë aset të çmuar në një rajon që mund të shpërthejë nga momenti në moment. Kjo lëvizje mund të jetë paralajmërim i një veprimi të mundshëm ushtarak, por edhe një masë paraprake për të mbrojtur kapacitetet strategjike amerikane. Me shtimin e kërcënimeve nga Irani dhe përshkallëzimin e konfliktit me Izraelin, Uashingtoni duket se po pozicionohet me kujdes për të qenë gati për çdo reagim të nevojshëm.
Burimi: A2 CNN, përmes AFP / Planet Labs PBC
Novaflash.info
