Prishtinë, 28 Qershor 2025 — Një situatë shqetësuese po zhvillohet në këto momente në rrugën Bajram Bahtiri në Prishtinë. Një shtëpi është përfshirë nga flakët dhe sipas pamjeve ekskluzive që sjell NovaFlash, flakët vazhdojnë të përpijnë objektin edhe pse ekipet e zjarrfikësve tashmë janë larguar nga vendngjarja.
Pamjet që posedon NovaFlash tregojnë qartë shtëpinë duke u djegur, ndërsa tymi i zi ka mbuluar një pjesë të madhe të lagjes. Banorët e zonës raportojnë se zjarrfikësit arritën fillimisht në vend, por pas disa përpjekjeve për të shuar zjarrin, ata janë tërhequr, duke e lënë shtëpinë të digjet më tej.
Ende nuk ka informacion të konfirmuar nëse në shtëpi ndodhet dikush brenda, apo nëse banorët janë evakuuar me kohë. Nuk dihet as arsyeja pse operacioni i shuarjes është ndërprerë.
Pamjet që sjell NovaFlash janë dëshmi e gjendjes dramatike në të cilën ndodhet familja e kësaj banese, ndërsa banorët përreth janë të frikësuar për mundësinë që zjarri të përhapet edhe në ndërtesat ngjitur.
Autoritetet deri tani nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare për shkaqet, pasojat, apo për atë se çfarë do të ndërmerret për të shuar plotësisht flakët.
Qytetarët që gjenden në zonë janë duke apeluar për ndihmë dhe për përgjegjësi, ndërsa kërkojnë që zjarrfikësit të kthehen dhe të ndërhyjnë menjëherë para se situata të dalë jashtë kontrollit.
NovaFlash do të vazhdojë të raportojë LIVE për këtë ngjarje kritike dhe ju sjell pamjet më të freskëta direkt nga vendi i ngjarjes
