Kadetët e Qendrës për Studime Universitare (QSU) të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë kaluar me sukses ushtrimin praktik me emrin simbolik “Qielli i Shqiponjave 2025”, duke demonstruar gatishmëri, disiplinë dhe profesionalizëm në nivel të lartë.
Gjatë këtij vlerësimi, kadetët e vitit të katërt treguan përvojën e akumuluar gjatë katër viteve intensive në QSU, duke u vlerësuar pozitivisht në operacione të ndryshme taktike dhe strategjike. Me këtë performancë, ata konfirmuan se janë gati për të marrë uniformën e oficerit të ri në FSK.
Nga ana tjetër, kadetët e vitit të tretë, të cilët janë ende në rrugën e formimit profesional, u dalluan për angazhimin, vullnetin dhe përkushtimin që treguan gjatë ushtrimit. Ata po përgatiten si liderët e ardhshëm të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit.
Ushtrimi praktik u ndoq nga afër nga Gjeneral brigade Sven Lange, drejtor i NALT-it (Ekipi Këshillues i NATO-s për Kosovën), si dhe nga Komandanti i KDS-së, Gjeneral brigade Jeton Dreshaj, të cilët vlerësuan nivelin e lartë të profesionalizmit dhe përkushtimit të kadetëve, si dhe përgatitjen e strukturave të QSU-së.

Ushtrimi “Qielli i Shqiponjave 2025” nuk është vetëm një test praktik, por një simbol i ngritjes së brezit të ri të mbrojtësve të vendit. Ajo çka u pa në këtë stërvitje nuk ishte thjesht zbatim urdhrash apo simulim lufte – ishte shfaqje e karakterit dhe përgjegjësisë, e një gjenerate që po formohet me standarde moderne dhe vlera kombëtare.
Pjesëmarrja e figurave të rëndësishme nga FSK dhe misionet ndërkombëtare si NALT konfirmon rëndësinë që ky ushtrim ka për strukturat e sigurisë. Ndërsa misioni i FSK-së është modernizimi dhe përgatitja për sfida të reja, QSU po i prin këtij transformimi përmes edukimit, disiplines dhe stërvitjes elitare.
Duke parë vendosmërinë e këtyre kadetëve, shihet qartë: Po rriten oficerë që janë gati t’i dalin zot Atdheut.
Burimi: Teksti dhe fotografia janë marrë nga postimi zyrtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Facebook:
Përpunuar për qëllime vizuale nga Nofaflash.info
🔗 https://www.facebook.com/share/p/18tt3rpreb/?mibextid=wwXIfr
