Tuesday, April 21, 2026
HomeLajmeNën diellin përvëlues dhe pa orar – një realitet i heshtur që...

Nën diellin përvëlues dhe pa orar – një realitet i heshtur që po rrezikon jetën e punëtorëve në Kosovë

Në kulmin e temperaturave ekstreme që kanë përfshirë Kosovën ditëve të fundit, punëtorët, veçanërisht ata të sektorit të ndërtimtarisë, po vazhdojnë të punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira. Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), kjo kategori e punëtorëve është lënë në mëshirën e punëdhënësve dhe pa ndihmën e institucioneve shtetërore që do duhej të garantonin sigurinë dhe mirëqenien e tyre.

Kryetari i KMDLNj-së, Behxhet Shala, ka ngritur alarmin për gjendjen alarmante në të cilën ndodhen punëtorët, duke theksuar se çdo ditë ata përballen me mungesë të kushteve minimale të sigurisë në vendin e punës, mungesë të pajisjeve mbrojtëse dhe, në shumë raste, punë pa orar të përcaktuar.

“Po e shihni vetë, në temperatura 36 deri në 38 gradë, punëtorët punojnë në ndërtimtari kur nuk ka kushte minimale për sigurinë e tyre. Pastaj puna pa orar, në vapë, në pluhur, në rrezik të përhershëm. Dhe e gjitha kjo për të ruajtur një vend pune që shpesh është i vetmi burim i mbijetesës për një familje të tërë,” tha Shala.

Ai kritikon edhe qasjen e institucioneve shtetërore, sidomos të Policisë dhe Prokurorisë, që, sipas tij, reagojnë vetëm pas ndodhjes së ndonjë tragjedie. “Policia dhe prokuroria kryesisht merren me pasojat – pasi të ketë ndodhur një lëndim i rëndë, invaliditet apo edhe fatalitet. Kjo është qasje joserioze. Ne duhet të veprojmë më herët për të parandaluar, jo për të mbledhur pasojat.”

Sipas KMDLNj-së, një ndër problemet më të mëdha është mungesa e inspektimeve në terren. Numri i inspektorëve të punës është shumë i vogël për të mbuluar të gjitha zonat ku zhvillohen aktivitete ndërtimore, të cilat janë në rritje të vazhdueshme. “Me një numër simbolik të inspektorëve është e pamundur të kontrollohen të gjitha kantieret. Prandaj edhe ndodhin fatkeqësi, sepse nuk ka mbikëqyrje,” thekson Shala.

Një tjetër rekomandim urgjent i KMDLNj-së është krijimi i një fondi të veçantë që do të mbështeste familjet e punëtorëve që humbin jetën apo mbesin me pasoja të përhershme nga aksidentet në punë. “Ne kemi propozuar krijimin e një fondi të dedikuar për kompensimin e familjeve. Aktualisht ndihma vjen vetëm nga ndonjë punëdhënës apo donacion sporadik. Shteti nuk ka një mekanizëm funksional për këtë kategori të pambrojtur.”

Në përfundim, Shala deklaron se punëtorët në Kosovë janë “thuajse krejtësisht të pambrojtur”, duke u lënë në mëshirën e punëdhënësve dhe të kushteve klimatike – qoftë në vapë përvëluese, qoftë në acar dimëror.

Ky realitet i ashpër i punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë reflekton një dështim institucional që po zvarritet prej vitesh. Ndërkohë që flitet për zhvillim ekonomik dhe investime, mungesa e sigurisë në vendin e punës tregon fytyrën e vërtetë të tregut të punës në Kosovë. Punëtorët e ndërtimtarisë nuk janë vetëm motor zhvillimi, por shpesh trajtohen si mall i konsumueshëm. Pa kontroll, pa dëmshpërblim dhe pa zë – ata mbesin viktima të një sistemi që i shfrytëzon dhe më pas i harron.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments