Ekonomia e Kosovës po përballet me një situatë të brishtë dhe shqetësuese, teksa të dhënat zyrtare tregojnë për një rritje të ndjeshme të importit dhe një rënie të vazhdueshme të eksportit. Më shqetësuese është fakti se vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025, importet nga Serbia janë rritur mbi 116%, duke arritur në 91 milionë euro – dyfish më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kjo rritje masive e mallrave serbe në tregun kosovar po ndodh pas zbutjes së masave kufizuese ndaj produkteve me origjinë nga Serbia. Me vendosjen e kontrollit të shtuar në vend të ndalimit të plotë, importet nga ky shtet kanë hyrë në mënyrë të përshpejtuar në Kosovë. Ekspertët vlerësojnë se ky zhvillim është simptomë e një problemi më të thellë ekonomik.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë periudhës janar-maj 2025, eksportet nga Kosova kanë rënë në mbi 356 milionë euro – një ulje prej 12.7 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Në të njëjtën kohë, importet janë rritur për afro 380 milionë euro, duke e çuar vlerën totale të tyre në mbi 2 miliardë e 760 milionë euro.
Një nga zërat më kritikë ndaj këtij bilanci negativ është ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. Ai thekson se mungesa e dialogut ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat, si dhe përfshirja e tepërt e politikës në çështjet ekonomike, po e godasin rëndë prodhimin vendor. “Është një realitet i hidhur – politika po e mbyt zhvillimin ekonomik. Ka mungesë të thellë bashkëpunimi dhe dialogu me sektorin privat, dhe kjo reflektohet në numrat që sot i shohim”, deklaron Gërxhaliu.
Sipas tij, kjo situatë nuk është e rastësishme, por është rezultat i një moskujdesjeje të vazhdueshme dhe mungesës së incentivave për prodhuesit vendas. “Rënia e eksportit me mbi 12 milionë euro dhe rritja marramendëse e importit tregon më së miri për shkatërrimin gradual të sektorit privat në Kosovë”, shton ai.
Nga ana tjetër, drejtori programor në Institutin Riinvest, Visar Vokrri, i sheh këto zhvillime si pasojë të dobësive strukturore të ekonomisë kosovare. Ai thekson se baza e dobët prodhuese, mungesa e investimeve në inovacion dhe problemet në tregun e punës janë ndër faktorët kryesorë që e mbajnë Kosovën jashtë tregjeve konkurruese.
Një tjetër shqetësim i madh është edhe thellimi i deficitit tregtar, i cili për periudhën janar-maj 2025 ka arritur në mbi 2.4 miliardë euro. Shtetet me importin më të madh drejt Kosovës gjatë kësaj periudhe janë Gjermania (384 milionë euro), Turqia (381 milionë euro) dhe Kina (329 milionë euro), ndërsa eksportet e Kosovës dominojnë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Gjermani dhe Zvicër.
Statistikat e viteve të fundit vetëm sa përforcojnë tendencën negative: nga viti 2020 deri në 2024, eksportet janë rritur me ritme shumë të ngadalta, ndërsa importet kanë kapur shifra rekord. Vetëm në vitin 2024, Kosova ka importuar mallra në vlerë 6.38 miliardë euro dhe ka eksportuar vetëm 889 milionë euro.

Të dhënat e fundit mbi tregtinë e jashtme të Kosovës janë alarm për ekonominë e brendshme. Dyfishimi i importit nga Serbia, në kohën kur retorika politike me këtë shtet vazhdon të jetë e tensionuar, tregon për një dështim në kontrollin e balancës tregtare dhe për mungesë të strategjisë ekonomike. Politikat e paqarta fiskale, mungesa e mbështetjes për prodhuesit vendorë dhe dialogu i munguar publiko-privat po e çojnë Kosovën drejt një varësie të thelluar nga importi.
Në këtë rreth, sektori privat jo vetëm që nuk po stimulohet për të eksportuar, por po përballet me një terren të pafavorshëm dhe shpesh armiqësor. Derisa vendet e rajonit po përpiqen të integrojnë politikat ekonomike me tregjet europiane dhe tërheqin investitorë strategjikë, Kosova po mbetet peng i agjendave politike afatshkurtra dhe mungesës së stabilitetit të brendshëm.
Për të ndryshuar këtë drejtim, kërkohet një kthesë serioze: reforma ekonomike e qëndrueshme, diplomaci ekonomike aktive dhe vendosje e prodhuesit vendor në qendër të zhvillimit. Në të kundërtën, Kosova do të vazhdojë të shënojë rekorde të reja… por vetëm për importe.
