Policia e Kosovës ka zhvilluar me sukses një operacion të gjerë në Rajonin e Prishtinës për të goditur rrjetet e bixhozit të jashtëligjshëm dhe skemave piramidale. Operacioni nisi më 25 prill 2025, pas marrjes së informatave të besueshme, dhe përfshiu kontrolle në disa lokacione të kryeqytetit.
Sipas raportit zyrtar, janë vëzhguar gjithsej 91 lokale, ndërsa në 60 prej tyre u kryen kontrolle të detajuara. Si rezultat, 34 persona janë arrestuar, ku 8 prej tyre u ndaluan për 48 orë dhe 26 të tjerë u liruan në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, 15 lokale u mbyllën nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe nga inspektoratet komunale, për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.
Policia konfirmoi gjithashtu sekuestrimin e provave materiale, përfshirë: 18 aparate për lojëra të fatit, një armë automatike AK-47, një armë të shkurtër, pajisje për kultivim droge, 5,544.40 euro para të gatshme, 3 laptopë, pajisje për shtypje e skanim tiketash, si dhe 16 telefona të dyshuar për transaksione të paligjshme në bastore online.
Në total janë iniciuar 25 raste penale për organizim të lojërave të fatit, posedim të paautorizuar të substancave narkotike, armëmbajtje pa leje, kultivim dhe përpunim të drogës.
“Ky operacion dëshmon përkushtimin tonë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Lufta kundër aktiviteteve të jashtëligjshme mbetet prioritet i yni”, thuhet në deklaratën e Policisë së Kosovës
