Friday, June 19, 2026
HomeFe dhe BesimBalena Blu dhe Besimi në Risk: Një Mësim i Madh nga Mrekullia...

Balena Blu dhe Besimi në Risk: Një Mësim i Madh nga Mrekullia më e Madhe e Oqeaneve

Balena blu, ky gjigant madhështor i botës së gjallë, vazhdon të mahnitë edhe sot shkencëtarët, studiuesit dhe njerëzit e zakonshëm që nuk mund të mos e krahasojnë këtë krijesë me fuqinë dhe mëshirën e Krijuesit të gjithësisë. Ajo është kafsha më e madhe që ka jetuar ndonjëherë në tokë — më e madhe se çdo dinozaur, më e gjatë se çdo kafshë që mund ta imagjinojmë sot. E megjithatë, ky gjigant nuk jeton në tokë, por lundron pa zhurmë mes oqeaneve të pafundme.

Një balenë blu e rritur mund të peshojë deri në 190 ton. Për ta kuptuar më qartë këtë peshë, imagjinoni rreth 30 elefantë afrikanë të mbledhur bashkë. Ose një tren të tërë me vagonë të mbushur plot. Por më habitësja është se një krijesë kaq e madhe, për të mbijetuar, ka nevojë për një sasi ushqimi që duket e pamundur për t’u siguruar çdo ditë: mbi 2 ton ushqim në ditë.

Balena blu ushqehet kryesisht me krill — një grumbull organizmash të vegjël, ngjashëm me karkalecët, që lundrojnë në tufat e tyre gjigante. Kur hap gojën, balena blu mund të gëlltisë miliona prej tyre me një frymë. Ky proces, i përsëritur me orë të tëra gjatë ditës, e ndihmon të plotësojë nevojën jetësore për kalori dhe energji.

E megjithatë, krilli nuk qëndron gjithmonë në të njëjtën zonë. Ai shpërndahet, largohet, shpesh është i varur nga temperatura e ujit, nga rrymat detare, madje edhe nga ndryshimet klimatike. Por balena blu nuk e ndal udhëtimin e saj. Nuk i frikësohet se do të mbesë pa ushqim. Ajo ndjek instinktin që i ka dhënë Allahu dhe gjen gjithmonë atë që i duhet, aty ku e ka të caktuar.

Ndërkohë, njeriu — krijesa që ka mendjen, arsyen, fjalën dhe shpresën — shpesh harrohet në frikën e tij për riskun. Për një peshë të trupit që kërkon mesatarisht më pak se 2 kilogramë ushqim në ditë, njeriu shpenzon orë, ditë, madje edhe jetë të tëra duke u frikësuar se mos nuk i siguron dot. Harrohet se risku nuk vjen nga forca jonë, por nga mëshira dhe caktimi i Krijuesit.

Pejgamberi Muhamed (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Sikur t’i mbështeteshit Allahut ashtu siç duhet, Ai do t’ju furnizonte ashtu siç furnizon shpendët: dalin në mëngjes me stomakun bosh dhe kthehen në mbrëmje të ngopur.” Si mund të mos jetë ky shembull i gjallë në çdo krijesë përreth nesh?

Balena blu është vetëm një prej miliona dëshmive të një sistemi të përsosur ku gjithçka që jeton, jeton sepse ka një furnizues. Në thellësitë e errëta të detit, ku drita nuk arrin, ekzistojnë krijesa që kurrë nuk i kemi parë, por ato gjithashtu e gjejnë ushqimin e tyre aty ku nuk e pret askush. Në shkretëtirat e thata, në majat e ftohta të Himalajeve, në pyjet më të dendura të Amazonës — çdo kafshë, çdo gjallesë mbijeton sepse risku i saj është caktuar.

Po pse atëherë njeriu, që ka mendjen, librat, fenë dhe një mësues të qartë si Islami, e humbet shpesh këtë bindje? Pse frikësohemi për bukën e gojës kur mund të punojmë, të përpiqemi, të planifikojmë — por në fund të mbështetemi te Ai që ka në dorë gjithçka?

Nëse balena blu, me gjithë madhështinë e saj, ka risk të caktuar, si mund të dyshojmë se nuk do ta kemi edhe ne, që peshojmë sa një grimcë para peshës së saj?

Sot, ky mësim na thërret që të ndalim frikën, të punojmë me përkushtim, por të mos harrojmë asnjëherë: risku nuk varet vetëm nga fuqia jonë. Ai varet nga Ai që ka krijuar detet, balenën blu dhe gjithçka që lundron apo ecën mbi tokë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments