Prishtinë, 15 korrik 2025 – Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur përfundimisht për një nga rastet më të diskutueshme të këtij viti: ushtrimin e dyfishtë të funksioneve nga ana e Hekuran Muratit, si ministër dhe njëkohësisht deputet. Ky vendim zyrtar vë pikën mbi “i” për një debat që ka marrë jehonë të gjerë politike dhe juridike, duke e shpallur antikushtetues një Udhëzim Administrativ të nënshkruar prej tij në prill 2025.
Në vendimin P.A.nr.09/2025, Gjykata Supreme e cilësoi jokushtetues Udhëzimin Administrativ (MFPT) Nr. 01/2025, që kishte të bënte me rregullimin e pajisjeve fiskale elektronike, të lëshuar nga Ministria e Financave nën drejtimin e Muratit. Sipas gjykatës, Murati në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti nuk kishte më mandat të vlefshëm si ministër, pasi kishte marrë pozitën e deputetit në Kuvend.
Gjykata thekson se një zyrtar nuk mund të jetë pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në të njëjtën kohë, bazuar në Nenin 29 të Ligjit për Qeverinë, i cili e përcakton qartë përfundimin automatik të mandatit qeveritar pas zgjedhjes si deputet. Për më tepër, sipas Neneve 71 dhe 72 të Kushtetutës, ndalohen situatat që krijojnë konflikt interesi ndërmjet roleve publike.
Paneli i gjyqtarëve, i kryesuar nga Delabhe Halimi, me pjesëmarrjen e Lumini Sallaskës dhe Francisika Zhitja-Ymerit, e cilësoi të papranueshme që një ministër në dorëheqje të nxjerrë akte të reja normative, sidomos pa miratimin formal të Qeverisë. Një tjetër mungesë e rëndë procedurale ishte fakti që Udhëzimi nuk kishte kaluar fare në shqyrtim qeveritar, gjë që e bën atë të pavlefshëm nga ana administrative dhe juridike.
Padia u iniciua nga kompania “Internet Sh.p.k.”, e cila e kundërshtoi udhëzimin për shkak të natyrës së tij të dyshimtë ligjore dhe konfliktit të hapur institucional. Supremja e mbështeti këtë qëndrim duke konstatuar se Udhëzimi në fjalë shkelte balancën kushtetuese midis degëve të pushtetit dhe përbënte rrezik për paanshmërinë e vendimmarrjes.
Ky vendim i Supremes jo vetëm e rrëzon juridikisht një akt të një ministri në detyrë të diskutueshëm, por vendos një precedent të rëndësishëm për çështjet që lidhen me përplasjet ndërinstitucionale dhe shkeljen e ndarjes së pushteteve në Kosovë.

Gjykata Supreme po jep një mesazh të qartë: askush nuk është mbi Kushtetutën. Rasti i Muratit nuk është thjesht një përplasje ligjore mbi një Udhëzim Administrativ, por një përballje me temelin e funksionimit të demokracisë parlamentare – ndarjen e pushteteve. Ky vendim e vendos një vijë të kuqe ndaj rasteve ku politika përpiqet të manovrojë jashtë kornizave ligjore. Përmes këtij akti, gjyqësori po kërkon të rivendosë standardin institucional në një shtet ku rolet shpesh ngatërrohen qëllimisht për përfitime të njëanshme.
