Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin Natal, në Brazil, ku një grua 35-vjeçare u sulmua rëndë nga i dashuri i saj brenda kompleksit rezidencial Sun Golden, të shtunën më 26 gusht.
Sipas mediave vendase, autori i dyshuar, Igor Cabral, ka goditur vazhdimisht të dashurën e tij me grushta, duke i shkaktuar lëndime serioze në fytyrë. Gruaja u dërgua menjëherë në spital në gjendje të rëndë dhe do t’i nënshtrohet operacionit për rindërtim të nofullës.
Gjatë marrjes në pyetje nga policia, Cabral ka deklaruar se vuante nga klaustrofobia dhe se kishte përjetuar një “krizë” në momentin e sulmit. Po ashtu, ai është vetëdeklaruar si person me autizëm.
Policia Civile e Brazilit po e trajton rastin si tentativë për femicid, ndërsa autori ndodhet në paraburgim dhe do të përballet me gjykimin për veprën penale.
Pamjet e rënda të ngjarjes, që janë shpërndarë në rrjete sociale, kanë shkaktuar indinjatë të gjerë në publik dhe kanë rindezur debatin mbi dhunën në familje dhe mbrojtjen e grave në Brazil.
Hetimet janë ende në vijim.
