Friday, June 19, 2026
HomeLajmeNumri i familjeve me asistencë sociale në Prishtinë bie ndjeshëm – vetëm...

Numri i familjeve me asistencë sociale në Prishtinë bie ndjeshëm – vetëm 800 mbeten përfitues

Prishtinë, 5 gusht 2025 – Në kryeqytetin e Kosovës, numri i familjeve që marrin asistencë sociale ka rënë ndjeshëm në vitet e fundit, duke arritur në vetëm rreth 800 familje, sipas të dhënave më të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Drejtoria e Mirëqenies Sociale e Komunës së Prishtinës.

Vetëm katër vite më parë, numri i përfituesve në Prishtinë ishte afër 1,500 familje, por migrimi i qytetarëve jashtë vendit dhe ndryshimet në kriteret e përfitimit nga skema kanë ndikuar në këtë rënie të madhe.

Rënie në nivel kombëtar

Të dhënat e ASK-së tregojnë se në qershor të vitit 2024, mbi 19 mijë qytetarë në të gjithë Kosovën përfitonin nga skema e ndihmës sociale. Ndërsa këtë vit, numri ka rënë në rreth 17 mijë, duke shënuar një ulje prej 12.9%.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Adelina Sahiti, thekson se kjo rënie nuk ka ardhur vetëm për shkak të largimit të qytetarëve drejt vendeve të tjera, por edhe për shkak të shtrëngimit të procedurave të pranimit në skemën sociale.

“Aktualisht në kryeqytet kemi 790 familje që janë pjesë e skemës sociale. Para katër vitesh ky numër ka qenë rreth 1,500. Kemi rënie për shkak të migrimit, kritereve më të rrepta dhe verifikimeve të vazhdueshme në terren, si dhe mundësive të reja për punësim, pavarësisht rritjes së çmimeve,” tha Sahiti.

Jeta në kufijtë e mbijetesës

Për shumë nga këto familje, asistenca sociale është burimi i vetëm i të ardhurave. Një 23-vjeçar nga Prishtina, që kujdeset për babain e sëmurë dhe familjen e tij, thotë se çdo ditë mbledh kanaçe për t’i shitur dhe për të siguruar ushqim.

“Për ditë mundohem me shitë kanaqe në Prishtinë. Jam fëmija më i madh, babën e kam të sëmurë. Po kemi frikë se edhe pak ditë na nxjerrin prej shtëpisë me qira që jemi,” rrëfen ai.

Papunsia dhe varfëria ende sfida

ASK raporton se shkalla e papunësisë në Kosovë është aktualisht 10.9%. Megjithatë, të dhënat për shkallën e varfërisë nuk janë përditësuar që nga viti 2017, çka e bën të vështirë matjen e saktë të situatës ekonomike në vend.

Rënia e numrit të familjeve që përfitojnë asistencë sociale në Prishtinë pasqyron dy realitete të ndryshme: nga njëra anë, migrimi i qytetarëve drejt vendeve të tjera në kërkim të kushteve më të mira jetese, dhe nga ana tjetër, përpjekjet e institucioneve për të targetuar më saktë ata që kanë nevojë reale për mbështetje.

Megjithatë, ky trend nuk do të thotë automatikisht përmirësim të kushteve ekonomike. Për shumë familje, humbja e së drejtës për asistencë sociale mund të nënkuptojë kalim në varfëri të thellë, veçanërisht në kushtet kur çmimet e jetesës po rriten dhe pagat mbeten të ulëta. Në mungesë të një sistemi gjithëpërfshirës të punësimit dhe mbështetjes sociale, rreziku i përjashtimit ekonomik për shtresat më të brishta mbetet i lartë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments