Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në Tunizi, ku një turiste britanike, nënë e dy fëmijëve, ka denoncuar se është sulmuar seksualisht gjatë një fluturimi me parashutë në qytetin turistik të Sousse.
Sipas asaj që raporton “The Sun”, gruaja kishte rezervuar një aktivitet fluturimi në çift me një shoqe, por për shkak të erës së fortë, iu komunikua se secila do të fluturonte individualisht me një instruktor. Ndërsa shoqja e saj përjetoi një fluturim normal, turistja britanike u përball me një situatë traumatike.
Ajo tregon se instruktori i saj, një djalosh i ri rreth të 20-ave, e preku në mënyrë të papërshtatshme gjatë gjithë kohës që ishin në ajër:
“Ndjeva rripin e bikinit duke u tërhequr dhe pastaj ai më rrethoi me këmbë. E ndjeja trupin e tij që afrohej dhe po më prekte. Ishte tmerruese – më fliste në arabisht, dhe unë ndihesha e ndyrë, e dhunuar dhe e pafuqishme, pezull në ajër.”
Pas uljes, ajo shpërtheu në lot dhe incidentin ia raportoi menjëherë menaxherit të qendrës së sporteve ujore dhe më pas policisë lokale. Sipas saj, personi i dyshuar është arrestuar që atëherë.
Turistja kishte rezervuar pushimet përmes kompanisë “easyJet” për një shumë prej 6,000 paund. Pas incidentit, ajo nuk arriti të shijonte më pjesën tjetër të udhëtimit.
Ministria e Jashtme britanike dhe kompania e sigurimeve janë përfshirë në rast, ndërsa “easyJet” ka deklaruar:
“Siguria dhe mirëqenia e klientëve tanë është një përparësi dhe po bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë për të shqyrtuar situatën.”
Rasti ka ngjallur reagime të forta për mungesën e kontrollit dhe sigurisë në aktivitete turistike të tilla në vendet jashtë BE-së.
