Në qendër të Bujanocit janë shfaqur grafite me emrin e gjeneralit të dënuar për gjenocid, Ratko Mladiq, duke ngjallur reagime të forta në opinionin publik.
Politikani nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafi, përmes një postimi në rrjetet sociale, theksoi se ky veprim është dëshmi e rrënimit të sigurisë publike dhe i mungesës së reagimit institucional.
“Në një qytet me shumicë shqiptare, në vitin 2025, të shfaqet publikisht emri i një krimineli lufte, bashkë me simbole nacionaliste e urrejtëse, është provokim i qëllimshëm dhe dëshmi e mosndëshkimit institucional”, shkroi Mustafi.
Ai rikujtoi se më parë është thyer billboard-i i Komandant Lleshit, në përvjetorin e rënies së tij, pa asnjë reagim nga autoritetet, ndërsa më herët ishin shfaqur edhe grafite me thirrje për dhunë kundër shqiptarëve pranë Shtëpisë së Shëndetit.
“Sot kemi këtë: ‘M M’ me të kuqe dhe simbolin me katër C në qendër të qytetit. Është stil i njohur, i bazuar në nacionalizëm, provokim dhe frikësim të shqiptarëve në vendin e tyre”, shtoi Mustafi.
Ky rast ka rritur shqetësimet për sigurinë e qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës dhe për mungesën e masave nga institucionet për të parandaluar gjuhën e urrejtjes dhe veprimet që nxisin tensione ndëretnike.
Shfaqja e grafiteve me emrin e Ratko Mladiqit në Bujanoc nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një serie ngjarjesh që tregojnë për rritjen e tensioneve nacionaliste në Luginën e Preshevës. Ato kanë një mesazh të qartë politik dhe shërbejnë si mjet presioni dhe frikësimi ndaj shqiptarëve që jetojnë në këtë rajon.
Nëse autoritetet shtetërore dhe lokale vazhdojnë të mos reagojnë, ky lloj veprimi mund të krijojë një kulturë të normalizimit të urrejtjes, e cila dëmton jo vetëm bashkëjetesën ndëretnike, por edhe besimin e qytetarëve tek institucionet.
Ky provokim simbolik është më shumë se një akt vandalizmi – ai është një shenjë e qartë se narrativat e së kaluarës së dhunshme ende po përdoren si instrument politik dhe si mënyrë për të ruajtur tensionin në një zonë të ndjeshme.
Nëse nuk merren masa serioze, Bujanoci dhe qytetet tjera të Luginës së Preshevës rrezikojnë të përballen me një spiral të re provokimesh që mund të rrisin pasigurinë dhe të dëmtojnë stabilitetin rajonal.

