Friday, June 19, 2026
HomeInformata , Siguri dhe VetdijesimFSK rrit kapacitetet operacionale me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë

FSK rrit kapacitetet operacionale me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po vijon procesin e modernizimit dhe ngritjes së kapaciteteve të saj operacionale, falë bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Me mbështetjen e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimeve dhe Asistencës së Sigurisë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SATMO), FSK po zhvillon stërvitje intensive në fushën e aftësive luftarake dhe menaxhimit të operacioneve.

Aktualisht, në Biza të Republikës së Shqipërisë, po zhvillohet një stërvitje e përbashkët që përfshin përdorimin dhe trajnimin me mortaja, me synim rritjen e gatishmërisë operative dhe forcimin e koordinimit rajonal. Krahas pjesës teorike, stërvitja përfshin edhe fazën praktike në tri komponentë kryesorë:

  • Trajnimi me mortaja (Mortar Training)
  • Kursi për udhëheqës të këmbësorisë dhe mortajave (Infantry Mortar Leader Course)
  • Vëzhgues i përparmë (Forward Observer)

Ushtarët e FSK-së janë trajnuar në përdorimin e sigurt të mortajave, procedurat e shënjestrimit dhe gjuajtjes, si dhe në koordinimin e zjarrit me njësitë taktike. Po ashtu, ata kanë shkëmbyer përvoja me trajnerët dhe këshilltarët amerikanë e shqiptarë, duke përfituar nga praktikat më të mira ndërkombëtare.

Ky bashkëpunim është dëshmi e lidhjes së fortë mes FSK-së dhe partnerëve të saj strategjikë, duke kontribuar jo vetëm në ngritjen e kapaciteteve profesionale, por edhe në sigurinë e përbashkët dhe stabilitetin rajonal.

Ky aktivitet i FSK-së në bashkëpunim me SHBA-të dhe Shqipërinë është më shumë se një stërvitje ushtarake – është një tregues i qartë i drejtimit që ka marrë Kosova në aspektin e sigurisë. Përfshirja e SATMO-s në trajnimet e FSK-së është garanci se standardet që po ndërtohen janë në përputhje me ato të NATO-s.

Nga ana tjetër, zhvillimi i stërvitjeve të përbashkëta në territorin shqiptar shënon një nivel të lartë të bashkëpunimit dypalësh mes Tiranës dhe Prishtinës, duke përforcuar faktin se të dy vendet shohin sigurinë kombëtare si pjesë të një interesi të përbashkët rajonal.

Në një kohë kur sfidat e sigurisë në Ballkan mbeten të ndjeshme, ngritja e kapaciteteve të FSK-së është një mesazh i qartë se Kosova synon të jetë faktor stabiliteti dhe kontribuues në sigurinë ndërkombëtare. Kjo rritje e profesionalizmit e bën më të besueshme edhe aspiratën e Kosovës për t’u integruar në strukturat euroatlantike.

SourceFSK
RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments