Saturday, June 20, 2026
HomeInformata , Siguri dhe VetdijesimVuçiq paralajmëron fushatë të re për çnjohjen e Kosovës nga shtete afrikane

Vuçiq paralajmëron fushatë të re për çnjohjen e Kosovës nga shtete afrikane

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar në Nju Jork se po zhvillon përpjekje të reja për të bindur disa shtete afrikane që të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ai theksoi se informacione më të detajuara rreth këtij procesi do të bëhen publike në muajin tetor.

Duke folur pas një takimi në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuçiq u pyet nga gazetarët lidhur me mundësinë që vende të reja afrikane të tërhiqen nga njohja e Kosovës. “Po punoj për këtë. Do të keni informacione të reja shumë shpejt në tetor. Veçse kemi realizuar diçka”, tha ai për agjencinë serbe Tanjug.

Vuçiq po ashtu përmendi se gjatë bisedimeve të tij në OKB, ka theksuar rëndësinë e rolit të Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres, i cili sipas tij është i informuar mbi situatën e komunitetit serb në Kosovë, përmes raporteve të UNMIK-ut.

Këto deklarata janë pjesë e fushatës së vazhdueshme të Serbisë për të minuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës, një proces i cili prej disa vitesh ka marrë forma të ndryshme, duke përfshirë lobime intensive në vende të ndryshme të botës, veçanërisht në Afrikë dhe Amerikën Latine.

Deklarata e Vuçiqit në Nju Jork tregon qartë se Serbia nuk ka ndërmend të ndalë përpjekjet e saj diplomatike kundër shtetësisë së Kosovës. Duke përmendur vende afrikane si shënjestrën kryesore, Beogradi po tenton të shfrytëzojë hapësira ku diplomacia kosovare ka pasur më pak prani dhe më pak ndikim.

Megjithatë, ky strategji përballet me kufizime serioze. Së pari, pavarësia e Kosovës është e njohur nga mbi 100 vende dhe e mbështetur fuqishëm nga shtetet kryesore perëndimore, përfshirë ShBA-në, Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar. Çdo çnjohje e mundshme nga disa shtete afrikane nuk e ndryshon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në organizatat më të rëndësishme.

Së dyti, deklarata e Vuçiqit duket të ketë edhe një dimension të brendshëm politik. Duke paralajmëruar “suksese” në tetor, ai synon t’i tregojë opinionit publik serb se diplomacia e tij është aktive dhe po sjell rezultate. Kjo është pjesë e strategjisë për ta forcuar narrativën e tij se Serbia është ende një faktor i fuqishëm në arenën ndërkombëtare.

Në praktikë, edhe nëse disa vende të vogla tërhiqen nga njohja, ky fakt nuk do ta zbehë realitetin se Kosova po konsolidohet si shtet, përmes marrëveshjeve ndërkombëtare, pjesëmarrjes në samite dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik e diplomatik me Perëndimin.

Prandaj, më shumë sesa një rrezik real për Kosovën, këto paralajmërime të Vuçiqit duken si një përpjekje për të forcuar pozitën e tij politike dhe për të mbajtur çështjen e Kosovës si instrument të brendshëm mobilizues në Serbi.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments