Friday, April 17, 2026
HomeEkonomi24 orë para zgjedhjeve, Qeveria Kurti shpall “katër lajme të mira” për...

24 orë para zgjedhjeve, Qeveria Kurti shpall “katër lajme të mira” për qytetarët

Në prag të zgjedhjeve lokale që mbahen në të gjitha 38 komunat e vendit, Qeveria në detyrë e Kosovës ka dalë me disa njoftime që i ka quajtur “lajme të mira” për qytetarët. Në qendër të vëmendjes janë katër kategori shoqërore: fëmijët, pensionistët, punëtorët e sektorit privat dhe veteranët e luftës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një tubimi të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë të premten, tha se këto masa janë pjesë e një angazhimi për mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve.

Ai përmendi shtesat për fëmijët, rritjen e mbështetjes për pensionistët, si dhe lehtësime për punëtorët dhe veteranët.

Të njëjtën linjë e ka ndjekur të shtunën edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili njoftoi se Qeveria po përgatit rritje të asistencës sociale për të gjitha familjet përfituese me 20 për qind.

Ai theksoi gjithashtu se pritet të ketë ndryshime pozitive për fëmijët që marrin shtesa mujore, për pensionistët dhe për veteranët, të cilëve pritet t’u hiqet kufizimi për punësim.

Një tjetër njoftim që ngjalli debat ishte ai për punëtorët e sektorit privat me pagë minimale, për të cilët Murati tha se “do të ketë lajm të mirë” pas zgjedhjeve.

“Kështu që mos harroni më 12 tetor dilni votoni e pastaj festojmë bashkë me të gjitha këto lajme të mira me Qeverinë Kurti 3”, deklaroi Murati në një video të shpërndarë në Facebook.

Vetëm disa ditë më parë, Qeveria në detyrë kishte ndarë 26 milionë euro për studentët, duke shpërndarë nga 100 euro për secilin, si dhe për familjet me të

ardhura vjetore nën 12 mijë euro që kanë studentë në shtëpi. Masa u kritikua nga opozita si “elektorale”, ndërsa disa ekspertë e cilësuan si veprim që nuk sjell ndikim real në standardin e jetesës.

Sipas të dhënave zyrtare, asistenca sociale në Kosovë varion nga 60 deri në 180 euro në muaj, në varësi të numrit të anëtarëve të familjes.

Ky komunikim publik i Qeverisë në detyrë, vetëm një ditë para zgjedhjeve, shihet si një përpjekje për të ndikuar perceptimin e votuesve përmes politikave të

përkohshme sociale. Edhe pse përfitimet e paralajmëruara mund të ndihmojnë familjet me të ardhura të ulëta, momenti i publikimit i jep një ngjyrim elektoral veprimeve të ekzekutivit.

Në aspektin ekonomik, rritja e asistencës sociale me 20% dhe heqja e kufizimit të veteranëve për punësim do të kenë efekt buxhetor, por mbetet e paqartë nëse buxheti aktual mund t’i përballojë në afat të gjatë.

Në thelb, “katër lajmet e mira” janë një mesazh politik për vazhdimësinë e Qeverisë Kurti, ndërsa për qytetarët, mbetet të shihet nëse këto premtime do të kthehen në politika të qëndrueshme pas zgjedhjeve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments