Pas ndeshjes së shumëpritur në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Kosova dhe Zvicra u ndanë me barazim 1:1 në duelin e fundit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, një moment i veçantë në rrjetet sociale tërhoqi vëmendjen e mijëra shqiptarëve. Granit Xhaka, kapiteni i Zvicrës me origjinë shqiptare, publikoi postimin e tij të parë pas takimit – dhe komentet vërshuan menjëherë.
Ndeshja, e cila u karakterizua nga ritëm i lartë dhe përkushtim nga të dy skuadrat, nuk shkoi plotësisht siç pritej për mesfushorin shqiptar. Sa herë ai prekte topin, në tribuna dëgjoheshin fishkëllima, gjë që Xhaka e komentoi pas ndeshjes si një moment zhgënjyes dhe të papritur për të, duke theksuar se nuk e kishte pritur një pritje të tillë në “shtëpinë e tij”.
Megjithatë, reagimi në rrjete sociale tregoi një realitet tjetër. Edhe pse disa tifozë mbajtën qëndrimin kritik, qindra të tjerë u solidarizuan me Xhakën, duke i shprehur përkrahje të fortë dhe respekt për gjithçka që ai ka bërë ndër vite për promovimin e emrit të Kosovës në futbollin ndërkombëtar. Komentet e shumta nën postimin e tij e cilësuan atë “legjendë”, “frymëzim” dhe “një ndër kontribuuesit më të mëdhenj të futbollit shqiptar”.
Në postimin e tij, Xhaka u shpreh me tone optimiste për të ardhmen:
“Kupa e Botës 2026, do të jemi aty. Dhe, mezi po pres.”
Ky reagim ngjalli edhe më shumë diskutime mes tifozëve, por shumica e komenteve theksuan kontributin e tij dhe faktin se sporti duhet të bashkojë, pavarësisht momenteve të tensionit.


