Ish-zyrtari policor Arbnor Spahiu është liruar dje në mesditë nga burgu i Serbisë, pas arrestimit të tij më 7 qershor të këtij viti. Spahiu ka theksuar se ndihet mirë, më i fortë se kurrë dhe mirënjohës për mbështetjen gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Në një postim në Facebook, ai tha:
“Dje në mesditë jam liruar nga burgu i Serbisë, ku kam qenë i arrestuar padrejtësisht që nga 7 qershori për akuza të rënda, pjesë e një procesi politik dhe të padrejtë. Jam mirë, më i fortë se kurrë dhe falënderues për çdo mbështetje.”
Spahiu falënderoi familjen, shoqërinë, bashkëfshatarët, ish-kolegët e Policisë së Kosovës, institucionet e Kosovës dhe gjithë shqiptarët që e mbështetën emocionalisht dhe financiarisht. Ai veçoi ndihmën e avokatit të tij kryesor, Gvozden Grgur, për punën e palodhur gjatë procesit të tij.
“Gjithashtu, një falënderim i veçantë për çdo media që raportoi për mua dhe përkthyesin që ishte mbështetje e rëndësishme. Gëzimi që po shoh në sytë e njerëzve dhe dashuria për lirimin tim janë të jashtëzakonshme”, shtoi Spahiu.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) bëri të ditur se arrestimi dhe akuzat ndaj Spahiut, për “vrasje të rëndë” lidhur me ngjarjet në Banjskë në vitin 2023, kanë qenë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova. Sipas MPJD-së, paraburgimi i gjatë ka shkelur të drejtën për proces të rregullt dhe trajtim të drejtë.
Ish-polici ishte ndaluar nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Horgosh, dhe më pas dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizhë. Liria e tij vjen pas një periudhe të gjatë pritjeje dhe mbështetje të gjerë nga institucionet dhe komuniteti shqiptar.
