Pezullimi i transportit publik vazhdon: Trafiku Urban kërkon përshpejtimin e procedurave nga institucionet qendrore
Ndërmarrja Publike Komunale “Trafiku Urban” SHA ka njoftuar se pezullimi i transportit publik në qytet do të vazhdojë deri në momentin kur mjetet buxhetore të votuara nga Kuvendi Komunal të transferohen nga institucionet qendrore. Përderisa këto fonde nuk janë bërë të qasshme, ndërmarrja deklaron se mbetet pa mundësi financiare për të shlyer obligimet ndaj furnitorëve, gjë që e pamundëson rifillimin e operimit.
Edhe pse Kuvendi sot ka miratuar bartjen e mjeteve nga viti 2024, Trafiku Urban thekson se procesi i transferimit është jetik dhe kërkon nga ministria përkatëse dhe institucionet përgjegjëse që të përshpejtojnë procedurat.
Punëtorët e ndërmarrjes kanë paralajmëruar vazhdimin e protestës deri në zgjidhjen e situatës.
Ndërkohë, qytetarëve u garantohet se të gjitha biletat mujore të paguara do të kompensohen për ditët kur shërbimi nuk ka qenë funksional. Menjëherë pas sigurimit të mjeteve financiare, Trafiku Urban konfirmon se do t’i rikthehet operimit normal pa asnjë vonesë.
