Shtatë producentë nga Los Angeles do të vizitojnë Kosovën për të shqyrtuar Ballkanin si një rajon të mundshëm për xhirimet e projekteve të tyre filmike të ardhshme.
Qëllimi i vizitës është njohja nga afër me kapacitetet dhe potencialin që ofron Kosova për prodhime ndërkombëtare në industrinë e filmit. Në kuadër të vizitës, do të organizohet një takim rrjetëzimi, me synim krijimin e kontakteve dhe bashkëpunimeve mes producentëve ndërkombëtarë dhe atyre vendorë, raporton KultPlus, transmeton Periskopi.
Ngjarja do të mbahet sot në “Kino Armata” në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00. Ky aktivitet pritet të forcojë lidhjet e Kosovës me industrinë ndërkombëtare të filmit dhe të rrisë vizibilitetin e vendit si destinacion për produksione filmike.
Vizita e producentëve nga Los Angeles tregon interesin në rritje të industrisë ndërkombëtare për Kosovën dhe Ballkanin. Takimet dhe rrjetëzimi mund të sjellin bashkëpunime dhe projekte filmike që kontribuojnë në zhvillimin e sektorit lokal të filmit.
