Sipas një artikulli të fundit të publikuar në revistën mjekësore gjermane “Deutsches Ärzteblatt”, legalizimi i kanabisit në Gjermani ka shoqëruar një rritje të dukshme të rasteve të psikozave të shkaktuara nga ky substancë. Studimet e fundit konfirmojnë shqetësimet e disa shoqatave mjekësore, të cilat paralajmërojnë rreziqet e konsumit të kanabisit, sidomos tek të rinjtë, truri i të cilëve nuk ka përfunduar zhvillimin deri në mesin e të njëzetave. Disa shoqata rekomandojnë që legalizimi të aplikohet vetëm për personat mbi 21 vjeç.
Psikozat janë sëmundje të rënda, që manifestohet me halucinacione, paranoja dhe iluzione. Në disa raste simptomat mund të zhduken brenda ditësh ose javësh, por tek disa individë halucinacionet dhe iluzionet mund të rikthehen herë pas here, madje edhe gjatë gjithë jetës.
Krahasimi para dhe pas legalizimit
Kanabisi u legalizua në Gjermani më 1 prill 2024. Autorët e studimit analizuan të dhënat nga spitalet e qarkut Schwaben në jug të vendit, për periudhën 1 prill 2022 – 31 mars 2025. Analiza përfshiu individë mbi 18 vjeç të shtruar me diagnoza si: psikozë e shkaktuar nga kanabisi, çrregullim nga përdorimi i kanabisit në përgjithësi, ose çrregullim psikotik jo-organik nga spektri i skizofrenisë.
Rezultatet treguan se pas legalizimit, numri i pacientëve të shtruar me psikoza të shkaktuara nga kanabisi ishte thuajse dyfish më i lartë se periudha para legalizimit.
Meshkujt më të prekur
Studimet tregojnë se meshkujt e rinj janë më të rrezikuar nga skizofrenia e shkaktuar nga kanabisi krahasuar me femrat. Sipas studimeve nga Danimarka, rreth 15% e rasteve të skizofrenisë tek meshkujt e rinj mund të parandalohen nëse kufizohet përdorimi i tepruar i kanabisit.
Rreziku i demencës për përdoruesit e kanabisit
Një studim i botuar në vitin 2025 në revistën “JAMA Neurology” në Kanada zbuloi se përdorimi i lartë i kanabisit mund të rrisë shanset për të zhvilluar demencë. Personat mbi 45 vjeç, që kishin pasur nevojë për trajtim spitalor për shkak të përdorimit të kanabisit, kishin më shumë mundësi të preken nga demenca më vonë krahasuar me të tjerët. Në Kanada, kanabisi është i legalizuar për përdorim personal që nga viti 2018.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky rezultat lidhet vetëm me raste të konsumit të lartë që kërkojnë shtrim në spital. Rreziku për demencë tek konsumuesit e moderuar të kanabisit mbetet ende i paqartë, dhe kërkohen studime të mëtejshme për të kuptuar ndikimin e përdorimit të zakonshëm.
