Fushë Kosovë, 25.01.2026 – Erërat e forta që po mbizotërojnë në Fushë Kosovë kanë shkaktuar rrëzimin e fasadës së një objekti banesor, duke lënduar një person dhe dëmtuar një veturë. Incidenti ndodhi rreth orës 21:00 në afërsi të shkollës “Mihal Grameno”, njofton Drejtori i Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë, Izja Mjeku.
“Sapo kemi pranuar informatën, ekipet e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe, së bashku me qytetarët, kanë ndërhyrë për pastrimin e zonës dhe eliminimin e rrezikut,” tha Mjeku.
Si pasojë e incidentit, një person ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Një veturë gjithashtu është dëmtuar nga rrëzimi i fasadës, ndërsa rreziku ka qenë i pranishëm edhe për pjesëmarrësit në komunikacion.
Drejtoria e Shërbimeve Publike ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të erërave të forta që pritet të vazhdojnë edhe në orët në vijim.

