Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se përmbytjet në vend po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, si pasojë e reshjeve intensive të shiut dhe shkrirjes së shpejtë të borës. Sipas raportit të IHMK-së, vetëm disa lumenj si Sitnica, Ibri dhe rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë përmbysin më ngadalë për shkak të karakterit fushor dhe konfiguracionit të terrenit.
Në periudhën 5–8 janar 2026, lumenjtë kryesorë si Drini i Bardhë, Ereniku, Mirusha, Toplluha, Bistrica e Deçanit, Lumi Klina, Sitnica, Drenica dhe Ibri kanë shënuar ngritje të shpejta dhe të larta të niveleve dhe prurjeve të ujit. Mesatarisht, gjatë 01–10 janar 2026, reshjet kanë arritur 124.1 mm, rreth 50% më shumë se mesatarja e janarit për periudhën 1961–2024.
Sasia më e lartë e reshjeve është regjistruar në Junik (400.4 mm), Gllogjan (331.2 mm), Radoniq (280.8 mm), Kuqishtë (256.8 mm) dhe Gjakovë (217.3 mm). Zona perëndimore e Kosovës, veçanërisht Pellgu i Drinit të Bardhë, ka regjistruar përmbytjet më të mëdha. Po ashtu, Pellgu i Lepencit dhe nën-pellgu i Drenicës kanë përjetuar ngritje të larta të ujit.
IHMK monitoron situatën përmes 34 stacionesh automatike hidrometrike dhe sistemeve fotogrametrike, duke regjistruar nivelin e ujit, shpejtësinë e rrjedhës dhe prurjen. Të dhënat transferohen për përpunim në serverin qendror të IHMK-së në Prishtinë dhe publikohen pas analizës së tyre.
Ekspertët paralajmërojnë se reshjet intensive dhe shkrirja e borës, veçanërisht në zonat malore, do të vazhdojnë të ndikojnë në rritjen e përmbytjeve në Kosovë gjatë kësaj periudhe.
