Një rezolutë e nënshkruar nga 30 deputetë të Parlamentit të Zvicrës pritet t’i dorëzohet Gjykatës Speciale, me kërkesën që kjo gjykatë të veprojë me drejtësi, paanshmëri dhe barazi në trajtimin e rasteve që lidhen me ish-krerët e UÇK-së.
Rezoluta është siguruar nga KosovaPress dhe mban nënshkrimet e deputetëve zviceranë nga parti të ndryshme politike, duke reflektuar një qëndrim të gjerë ndërpartiak për respektimin e standardeve të drejtësisë dhe barazisë para ligjit.
Dokumenti do të dorëzohet nesër nga ora 11:00 nga veprimtari Sali Bislimi në Gjykatën Speciale në Hagë. Rezoluta ishte adresuar fillimisht Qeverisë së Zvicrës rreth tre vjet më parë, ndërsa tani po i dorëzohet drejtpërdrejt institucionit gjyqësor përkatës.
Në përmbajtjen e saj, rezoluta kërkon që proceset gjyqësore të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të barabartë për të gjithë, duke respektuar parimet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.
Deputetët nënshkrues theksojnë se drejtësia duhet të jetë universale dhe pa standarde të dyfishta, pavarësisht përkatësive politike apo etnike, dhe se barazia para ligjit është një parim themelor i shtetit ligjor.
Rezoluta do të dorëzohet pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe pritet të rikthejë vëmendjen ndërkombëtare mbi proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë.




