IKSHPK del me apel urgjent për qytetarët: Kujdes nga temperaturat e larta këtë fundjavë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka lëshuar një apel për qytetarët, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar për shkak të temperaturave të larta që priten gjatë kësaj fundjave.
Sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vendi do të përfshihet nga një valë e të nxehtit me intensitet mesatar, e cila mund të ndikojë në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht te kategoritë më të ndjeshme.
IKSHPK jep rekomandime për mbrojtjen e shëndetit
Instituti rikujton se temperaturat e larta mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, ndaj u bën thirrje qytetarëve të marrin masa mbrojtëse.
Sipas rekomandimeve, qytetarët duhet të:
- Shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës.
- Qëndrojnë në ambiente sa më të freskëta.
- Pijnë sa më shumë ujë dhe të freskojnë trupin rregullisht.
- Tregojnë kujdes të veçantë për foshnjat, fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
IKSHPK thekson se respektimi i këtyre masave mund të ndihmojë në parandalimin e problemeve shëndetësore që lidhen me vapën ekstreme.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë ditëve me temperatura të larta.
