Përparim Rama emëron Agron Canollin drejtor të Urbanizmit në Prishtinë (Detaje)
Komuna e Prishtinës ka emëruar Agron Canollin në pozitën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, një prej drejtorive më të rëndësishme në kryeqytet.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Canolli përmes një njoftimi publik, ku bëri të ditur se ka pranuar detyrën e re, duke falënderuar për besimin e dhënë.
“Me ndjenjë të thellë mirënjohjeje, përgjegjësie dhe përkushtimi, ju njoftoj se kam pranuar detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në Komunën e Prishtinës. Falënderoj të gjithë për besimin e dhënë”, ka shkruar ai.
Canolli u shpreh se këtë funksion e konsideron një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve, duke premtuar angazhim për planifikim urban profesional, zhvillim të qëndrueshëm, mbrojtje të mjedisit dhe vendimmarrje transparente.
Emërimi i tij vjen në një periudhë kur LDK-ja dhe PDK-ja bashkëqeverisin në Komunën e Prishtinës. Drejtoria e Urbanizmit ka një rol kyç në planifikimin e qytetit, proceset e ndërtimit dhe zhvillimin urban të kryeqytetit.
Agron Canolli ka shërbyer më parë si asamblist i PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ndërsa emërimi i tij shihet si pjesë e marrëveshjes së bashkëqeverisjes dhe ndarjes së përgjegjësive mes dy partive.
