Arben Vitia e emëron këshilltare gruan e Hysen Durmishit, e cila më parë kishte kritikuar Qeverinë Kurti
Një emërim i ri në Ministrinë e Shëndetësisë ka tërhequr vëmendjen në opinionin publik.
Mirjeta Durmishi, bashkëshortja e ish-ministrit të Infrastrukturës Hysen Durmishi, është emëruar këshilltare politike e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Lajmin e ka bërë publik vetë Mirjeta Durmishi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shprehur falënderime për kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin në detyrë Arben Vitia.
“Faleminderit kryeministër Kurti! Faleminderit ministër Vitia! Jam e nderuar që nga sot të jem këshilltare politike e ministrit më të suksesshëm të Qeverisë së Kosovës, z. Arben Vitia”, ka shkruar ajo.
Emërimi vjen pas kritikave publike ndaj Qeverisë
Emërimi ka ngjallur reagime edhe për faktin se Mirjeta Durmishi kishte bërë më herët disa postime kritike ndaj ekzekutivit.
Pas formimit të Qeverisë Kurti 3 dhe mosemërimit të bashkëshortit të saj në post ministror, ajo kishte publikuar komente kritike në rrjetet sociale.
Në një nga postimet e saj, lidhur me inaugurimin e një rruge, ajo kishte shkruar:
“Vështirë është me përfundu ndërtimin e rrugës, se me pre shiritin është lehtë.”
Po ashtu, ajo kishte reaguar edhe lidhur me një ekspozitë për masakrat në Kosovë, duke kritikuar institucionet për mënyrën se si ishte trajtuar përmbajtja e saj.
Kush është Hysen Durmishi?
Hysen Durmishi ishte zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës gjatë mandatit të kaluar.
Më 27 gusht 2025 ai u emërua ushtrues detyre i Ministrit të Infrastrukturës, pas dorëheqjes së Liburn Aliut.
Megjithatë, në përbërjen e Qeverisë Kurti 3 ai nuk u emërua ministër, ndërsa drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës e mori Dimal Basha.
Sipas raportimeve, Durmishi nuk ishte pjesë as e listës së kandidatëve të Vetëvendosjes për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit.
Postimi ka nxitur reagime
Emërimi i Mirjeta Durmishit është komentuar në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë kanë rikujtuar deklaratat e saj të mëparshme ndaj Qeverisë.
Deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me komentet që kanë pasuar pas këtij emërimi.
NovaFlash do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë çështje.
