Gjatë një aksioni të ndërmarrë të enjten në Ministrinë e Infrastrukturës janë arrestuar katër zyrtarë të kësaj ministrie, të dyshuar për përfshirje në parregullsi lidhur me licencimin e autoshkollave.
Burime të “Betimit për Drejtësi” bëjnë të ditur se të arrestuarit janë: Sabit Muzaqi, Florije Selimi, Vjollca Kelmendi dhe Edila Gosalci.

Ndër të arrestuarat është edhe Florije Selimi, e njohur për publikun si nëna e artistit të njohur Getoar Selimi.
Dyshohet se arrestimet kanë të bëjnë me keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe shkelje të procedurave ligjore gjatë procesit të licencimit të autoshkollave.
Operacioni është duke u zhvilluar nga njësitë e rendit në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërkohë që priten informacione shtesë në ditët në vijim. Deri tani nuk është dhënë një deklaratë zyrtare nga autoritetet për akuzat e sakta apo masat që do të ndërmerren më tej.
Ngjarja ka nxitur reagime në opinionin publik, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe përfshirjes së emrave të njohur.
