Prishtinë, 23 janar 2026 – Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z. Sami Istrefi, ka mbajtur sot takimin e parë vjetor për vitin 2026 me administratorët e të gjitha prokurorive të vendit.
Gjatë takimit u trajtuan çështje kyçe që lidhen me administrimin e prokurorive, përfshirë sfidat aktuale në funksionimin administrativ, koordinimin e aktiviteteve dhe përcaktimin e prioriteteve për vitin 2026.
Vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të vlerësimit të performancës së stafit administrativ, me synim “rritjen e përgjegjshmërisë, efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve administrative”.
Po ashtu, u diskutuan ndryshimet ligjore që ndikojnë në administratën e sistemit prokurorial, si dhe çështjet që lidhen me disiplinën, duke u theksuar rëndësinë e respektimit të rregullave dhe standardeve profesionale në ushtrimin e detyrave administrative.
Drejtori Istrefi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet Sekretariatit të KPK-së dhe administratorëve të prokurorive, si faktorë kyç për “forcimin e transparencës, profesionalizmit dhe funksionimit të qëndrueshëm institucional”.
Administratorët e prokurorive patën mundësinë të paraqesin sfidat praktike me të cilat përballen në punën e përditshme dhe të propozojnë masa konkrete për përmirësimin e proceseve administrative brenda sistemit prokurorial.
Ky takim shënon hapin e parë për vitin 2026 në përpjekjet për të përmirësuar menaxhimin dhe efikasitetin e administratës së prokurorive në Kosovë.
