Friday, April 17, 2026
HomeAktualitet & Siguri RrugoreRama i kërkon Kurtit të zhbllokojë Unazën e Prishtinës: Rrezikohen mbi 82...

Rama i kërkon Kurtit të zhbllokojë Unazën e Prishtinës: Rrezikohen mbi 82 milionë euro grant

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka drejtuar një letër të hapur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar zhbllokimin urgjent të projektit të Unazës së Prishtinës, të cilin e cilëson si një projekt me rëndësi strategjike kombëtare.

Në letër, Rama thekson se Unaza e Prishtinës është “një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin dhe zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës”, duke shtuar se nuk është vetëm një nevojë urbane, por edhe një investim me peshë kombëtare dhe rajonale.

Ai kritikon faktin se projekti ka mbetur i bllokuar për më shumë se katër vjet në nivelin qendror, pavarësisht gatishmërisë së Komunës së Prishtinës për realizimin e tij. “Ky bllokim i zgjatur ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe po cenon seriozisht interesin publik”, shkruan Rama.

Kryetari i Prishtinës i kujton Kurtit edhe qëndrimet e tij gjatë fushatës zgjedhore, ku publikisht ka bërë thirrje për zhbllokimin e projektit, dhe nënvizon se tash ekziston mandati institucional për ta çuar përpara pa vonesa.

Një tjetër pikë kyçe në letër është paralajmërimi për rrezikun e humbjes së fondeve ndërkombëtare. Projekti është miratuar për financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) në vlerë prej 206 milionë euro, nga të cilat deri në 40% janë grant, ose mbi 82 milionë euro mjete të pakthyeshme. Rama thekson se çdo vonesë rrezikon drejtpërdrejt këto fonde.

Ai gjithashtu nënvizon se Unaza e Prishtinës është pjesë e rrjetit të autostradave të Ballkanit Perëndimor dhe duhet trajtuar si prioritet strategjik shtetëror, jo si projekt lokal. “Kërkojmë që menjëherë të zhbllokohen pengesat administrative dhe institucionale dhe të mundësohet fillimi i punimeve pa vonesa. Ky nuk është projekt politik, por një investim afatgjatë për qytetarët dhe ekonominë e vendit”, përfundon Rama.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments