Publikimi i dokumenteve të reja nga dosja e Jeffrey Epstein nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka zbuluar komunikime ku përmenden emra të lidhur me Kosovën.
Një prej email-eve të datës 19 shtator 2012 përmend ish-presidentin dhe ish-zëvendëskryeministrin e Kosovës, Behgjet Pacolli. Email-i, i dërguar nga konsulli i atëhershëm i Kosovës në Tajlandë, mban titullin “Kush është Behgjet Pacolli?” dhe i drejtohet Jeffrey Epstein.
Në përmbajtje, dërguesi i identifikuar si “Daniel” shkruan se “princesha dëshiron që ti ta shohësh këtë video”, duke bashkëngjitur një link nga YouTube, i cili aktualisht nuk është më funksional.
Në të njëjtin komunikim përmendet edhe konsullja e atëhershme e Kosovës në Tajlandë, Mom Luang Rajadasari Jayankura, e cila thuhet se ka kërkuar që materiali t’i përcillet Epstein-it. E njëjta konsulle shfaqet edhe në një email tjetër të vitit 2012, ku diskutohet një takim i mundshëm në New York. Në këtë email, përmendet se “princesha nga Tajlanda do të jetë në Kombet e Bashkuara me presidenten e Kosovës”, duke nënkuptuar mundësinë e një takimi gjatë asaj jave.
Në vitin 2012, presidente e Kosovës ishte Atifete Jahjaga, megjithëse ajo nuk përmendet me emër në dokumente. Mom Luang Rajadasari Jayankura ka folur më herët publikisht për rolin e saj në lobimin për njohjen e Kosovës nga Tajlanda dhe vende të tjera. Në një tekst autorial, ajo përshkruan bashkëpunimin me Behgjet Pacollin dhe angazhimin e saj për mbështetjen ndërkombëtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një të drejtë legjitime të shtetit për të ekzistuar si entitet sovran.
Publikimi i këtyre email-eve nuk përmban akuza penale ndaj personave të përmendur, por ofron një pasqyrë mbi komunikimet dhe kontaktet që janë bërë publike përmes dokumenteve zyrtare të dosjes Epstein.

