Infektologia ngre alarmin: HIV po përhapet në Kosovë, dy persona humbën jetën këtë vit
Rastet me HIV në Kosovë kanë shënuar rritje gjatë këtij viti, ndërsa ekspertët e shëndetësisë po bëjnë thirrje për më shumë ndërgjegjësim dhe testim të hershëm.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), nga fillimi i vitit deri në mesin e muajit korrik janë regjistruar 21 raste të reja me HIV/AIDS, ndërsa dy persona kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjes.
Infektologia: Virusi është duke u përhapur
Infektologia dhe udhëheqësja e Qendrës për Këshillim dhe Testim Vullnetar, Arbana Kasumi Shala, ka deklaruar se situata kërkon më shumë vëmendje, duke theksuar se virusi është në përhapje.
“Realisht është duke u përhapur. Unë po mendoj që ende nuk është popullata e vetëdijesuar për rreziqet e marrjes së këtij virusi”, u shpreh ajo.
Sipas saj, rritja e testimeve do të mundësonte zbulimin më të hershëm të infeksionit dhe fillimin në kohë të trajtimit.
Testimi i hershëm shpëton jetë
Kasumi Shala theksoi se personat që diagnostikohen me kohë dhe marrin terapinë antiretrovirale mund ta ulin ngarkesën virale deri në nivel të padetektueshëm, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe duke zvogëluar ndjeshëm rrezikun e transmetimit të virusit te të tjerët.
Autoritetet shëndetësore vazhdojnë t’u bëjnë thirrje qytetarëve që të informohen, të mbrohen dhe të kryejnë testime të rregullta, pasi diagnostikimi i hershëm mbetet një nga mënyrat më efektive për luftimin e HIV-it.
