Tuesday, April 21, 2026
HomePolitikRamiz Lladrovci “hap derën” për koalicion PDK-VV

Ramiz Lladrovci “hap derën” për koalicion PDK-VV

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka habitur me një deklaratë të papritur në lidhje me një mundësi të bashkëpunimit mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV).

Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Lladrovci deklaroi qartë se nëse PDK-së i ofrohet posti i kryeministrit, atëherë ai nuk sheh arsye pse të mos krijohet një koalicion qeverisës me VV-në.

“A duhet me hi? Nëse na jep kryeministrin me e udhëheq Qeverinë, pse nuk duhet me hy? Me Bedri Hamzën kryeministër, kush ka thënë që nuk duhet me hi?”, deklaroi Lladrovci.

Ai sugjeroi se një koalicion i tillë do të mund të zgjidhte disa çështje madhore për vendin, përfshirë zgjedhjen e presidentit të ri dhe koordinimin për sfidat që lidhen me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Na edhe VV-ja e zgjedhim e presidentin. Duhet me u marrë vesh për disa pika,” shtoi ai.

Deklarata e tij bie ndesh me qëndrimin zyrtar të PDK-së, që deri më tani ka përjashtuar çdo mundësi për një koalicion me partinë e Albin Kurtit, duke i konsideruar qëndrimet e tyre politike të papajtueshme dhe bashkëpunimin të pamundur.

Deklarata e Ramiz Lladrovcit mund të shihet si testim i opinionit publik dhe një sinjal i parë për lëvizje të mundshme strategjike brenda PDK-së. Në një kohë kur polarizimi politik në Kosovë është i lartë dhe VV-ja e ka konsoliduar pushtetin, një koalicion PDK-VV do të ishte një zhvillim befasues, por edhe potencialisht i rrezikshëm për identitetin politik të dy partive.

Nga njëra anë, ofrimi i postit të kryeministrit për Bedri Hamzën mund të shihet si kompromis, por nga ana tjetër, kjo do të kërkonte një rikonfigurim të thellë të besimit në elektoratin e PDK-së, që historikisht e ka parë Vetëvendosjen si kundërshtar ideologjik.

Një bashkëqeverisje e tillë do të mund të sillte stabilitet institucional, por rrezikon gjithashtu rrënimin e dallimeve të qarta politike në emër të përfitimeve të përkohshme të pushtetit. Pyetja kryesore është: A është ky sinjal individual i Lladrovcit, apo një lëvizje e koordinuar nga brenda PDK-së?

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments