Deklaratat e gazetarit Vehbi Kajtazi në emisionin “VV Show” kanë hapur një debat të ri të zjarrtë në opinionin publik: A po i shërben Albin Kurti, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, interesave politike të presidentit serb Aleksandar Vuçiq? Apo, siç pyesin tashmë shumë zëra kritikë, a po i shërben dikush tjetër agjendave të errëta përmes vetë Kajtazit?
Gjatë intervistës, Kajtazi nuk kurseu kritikat, duke hedhur dyshime serioze për një raport të fshehtë e të pakuptueshëm ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.
“Nuk është rastësi që kur Vuçiqi hyn në ndonjë krizë politike, Kurti nxit një incident ose një veprim në veri që e kthen vëmendjen tek Kosova. Kjo ndihmon Vuçiqin të konsolidojë pushtetin në Serbi dhe njëkohësisht e paraqet Kurtin si patriot të paepur në sytë e opinionit shqiptar”, tha ai.
Sipas gazetarit, tensionet e përsëritura në veri të Kosovës nuk janë thjesht një reagim ndaj situatës, por mund të jenë një skenar i mirëmenduar që ndihmon të dy liderët. Ai sugjeron se kjo “lidhje joformale” nuk është as e re dhe as spontane.
“Sepse edhe Vuçiqi i ka ndihmu Albin Kurtit. Kur ka fol ambasadori i Serbisë në OKB dhe i ka bë thirrje shqiptarëve mos e votoni Albin Kurtin, ajo në fakt është thirrje votojeni Albin Kurtin. Dhe këtë e ka thënë edhe presidenti i Serbisë që të mos votohet Kurti, dhe kjo është thirrje për me votu. Këta dy po e mbajnë njëri-tjetrin,” deklaroi Kajtazi.
Ai shprehu bindjen se çdo tension i krijuar në veri sjell përfitim të ndërsjellë politik për Vuçiqin dhe Kurtin, duke e bërë këtë marrëdhënie të paqarta, sipas tij, shumë të dyshimtë.
“Nuk është e rastësishme, sa herë që është në krizë Vuçiqi, Kurti nis një problem në veri të Kosovës e cila pastaj e kthen vëmendjen këtu. Kjo mua më bën më besu se ky njeri është duke i ndihmu Vuçiqit me qëndru në pushtet.”
Deklarata të tilla, megjithatë, kanë ngjallur reagime të kundërta. Disa kritikë tashmë po ngrejnë një pyetje të re, të kthyer kah vetë Kajtazi: Po nëse është vetë Kajtazi ai që i shërben dikujt tjetër përmes këtyre akuzave ndaj Kurtit?

Kush po i shërben kujt?
Në mungesë të fakteve të prekshme, deklaratat e Kajtazit mbesin në nivelin e dyshimeve. Ato mund të përputhen me një logjikë politike të ndikimeve të tërthorta, por nuk përmbajnë prova që vërtetojnë bashkëpunim të fshehtë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.
Nga ana tjetër, edhe qëndrimi i vetë Kajtazit meriton analizë: A po ndërton ai një narrativë politike që i shërben interesave të caktuara në Kosovë? Apo është thjesht një gazetar kritik që po bën pyetjet që të tjerët nuk guxojnë t’i bëjnë?
Nëse Kurti po përdor tensionet për të ruajtur pushtetin dhe për t’u shfaqur si i pathyeshëm ndaj Serbisë, kjo duhet të analizohet me kujdes, por gjithmonë mbi baza të verifikueshme. Në të njëjtën kohë, nëse Kajtazi po shpërndan akuza të rënda pa fakte, atëherë ai mund të jetë duke kontribuar në një destabilizim të panevojshëm të opinionit publik.
Për momentin, as Kurti nuk është zyrtarisht i lidhur me Vuçiqin, e as Kajtazi nuk ka dhënë ndonjë provë konkrete për akuzat e tij. Por fakti që këto dy figura tashmë janë vendosur përballë njëra-tjetrës në një betejë të ndërlikuar narrative, është një tregues se në Kosovë vazhdon të mungojë transparenca, debati i ndershëm dhe llogaridhënia.
