Pas tragjedisë që tronditi Lipjanin, ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu humbi jetën si pasojë e forcës së përdorur nga pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ka reaguar edhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX.
Shefi i këtij misioni, Giovanni Pietro Barbano, përmes një deklarate zyrtare në platformën ‘X’ (ish-Twitter), ka kërkuar një hetim të plotë dhe transparent lidhur me këtë rast që Prokuroria në Prishtinë tashmë e ka kualifikuar si vepër penale “vrasje nga pakujdesia”.
“Duke marrë parasysh fillimin e menjëhershëm të hetimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës pas vdekjes së një personi në Lipjan, presim që autoritetet kompetente të sqarojnë plotësisht dhe në mënyrë transparente rrethanat e rastit, duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe standardet e të drejtave të njeriut,” ka deklaruar Barbano.
Rasti ka ngjallur reagime të shumta në publik dhe media, sidomos pas publikimit të detajeve se si Policia e Kosovës e ka proceduar raportimin për rastin. Sipas Gazetës Insajderi, raporti zyrtar i policisë u shpërnda për media të martën rreth orës 14:47, ndonëse zakonisht raportet e tilla bëhen publike gjatë orëve të paradites, mes orës 09:00 deri në 10:00.
Ky vonim ka ngjallur dyshime për mënyrën e menaxhimit të informacionit dhe ka shtuar presionin mbi institucionet që të zbardhin pa vonesa çdo detaj që lidhet me vdekjen e të riut.
Sipas informacioneve paraprake, Prokuroria ka ngritur kallëzim penal ndaj pesë policëve që ishin të përfshirë drejtpërdrejt në ndalimin dhe përdorimin e forcës ndaj Zejnullahut. Hetimet tashmë janë marrë përsipër nga Inspektorati Policor i Kosovës, i cili pritet të dalë me gjetje të qarta mbi rrethanat që çuan në këtë humbje jete.
Familja e Agon Zejnullahut dhe organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut kanë bërë thirrje për një hetim të paanshëm dhe vendosjen para drejtësisë të të gjithë përgjegjësve.
Ndërkohë, EULEX-i mbetet një nga aktorët ndërkombëtarë më të rëndësishëm në monitorimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe apelon që ky rast të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut.
Publiku pritet të informohet për të gjitha zhvillimet në vijim, ndërsa pritet që në ditët në vazhdim të ketë deklarata të mëtejshme nga Prokuroria dhe IPK
